Roma në kaos, anulohet grumbullimi i skuadrës

Kaos te Roma. Largimi i De Rossit fillimisht dhe më pas i Francesco Tottit, dukej qartë se kishin prishur harmoninë dhe sidomos kishin lënë një “gropë të thellë” për t’u mbyllur, edhe pse vendime të drejtuesve të klubit.

Shumë futbollistë që mund të largohen, tratativa që kanë nisur, por edhe një vendim që ka lënë të shtangur tifozët: Roma anulon zyrtarisht grumbullimin në Pincolo, në rajonin e Trentos, në Itali. Gjithçka ishte bërë gati, ashtu si çdo vit, por gjërat kanë ndryshuar.

Kështu, urdhëri-lojtarëve për të qëndruar në shtëpi. Grumbullimi pritet të nisë më 5 korrik, pra pas 10 ditësh mbase, ndërsa edhe trajneri Fonseca është lajmëruar për këtë vendim.

Edhe pse ende nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me Milanin (një skualifikim do t’i çonte verdhekuqtë në grupet e Europa League), Roma vendosi që të anulonte grumbullimin në Pincolo që ishte programuar nga data 29 qershor deri më 7 korrik.

Sakaq, bashkia e Pincolos ka kërkuar dëmshpërblim, duke qenë se organizimi ishte bërë për të pritur klubin verdhekuq, flamuj në rrugë dhe tifozët gati. Kështu, Palotta duhet të paguajë për këtë dëm imazhi.

Ndërkohë, kampioni i botës, N’Zonzi, është zhdukur! Duhet të prezantohej për vizitat mjekësore rituale për fillimin e përgatitjeve, por francezi nuk dihet se ku ndodhet. Roma pagoi 30 mln euro për kartonin e tij nga Sevilla, ndërsa Lyon e ndjek, por duhen jo më pak se 25 mln euro. Për francezin, gati gjoba dhe huazimi ndoshta.