Roma përgatitet të ndryshojë pronar. Bisedimet mes James Pallottas dhe Dan Friedkin për shitjen e klubit të kryeqytetit italian janë drejt përmbylljes.

Gjatë orëve të fundit, të dyja palëve u është vënë në tavolinë vlera e përllogaritur e klubit, me hendekun mes kërkesës dhe ofertës tashmë të zvogëluar ndjeshëm.

Pritet vetëm të zyrtarizohet marrëveshja. Bëhet fjalë për një shumë prej 750 milionë eurosh, ku përfshihen edhe 270 milionë euro borxhe të shoqërisë dhe 150 milionë të parashikuara për rikapitalizimin.

Bisedimet e fundit për kalimin e paketës së maxhorancës janë kryer me 23 dhjetor në aksin Londër-Los Angeles-Boston. Në kuadër të bisedimeve nuk është përfshirë projekti për ndërtimin e stadiumit të ri në Tor di Valle, për të cilin Roma nuk mori aprovimin e drejtuesve të qytetit.

Epoka “Pallota”, e nisur në vitin 2012 është në fundin e saj, tashmë nis “mbrëtërimi” i Dan Friedkin.