Ligjet braziliane

Robinho në burg për përdhunimin e shqiptares? Brazilianët mund të marrin një vendim historik sot

Një gjykatë braziliane do të vendosë sot (e mërkurë) nëse ish-futbollisti i njohur, Robinho, do të vuajë dënimin në vendin e tij për përdhunimin në grup që ndodhi në Milano në vitin 2013.

Ish-futbollisti i Milanit dhe Real Madridit është dënuar me nëntë vite burg për përdhunimin e një shqiptareje në grup. Gjykata italiane e konfirmoi dënimin në janar të vitit 2022, por ai nuk e vuajti kurrë atë sepse u arratis në Brazil përpara se të shpallej vendimi.

Ligjet braziliane nuk lejojnë ekstradimin e qytetarëve të saj dhe vitin e kaluar Italia i kërkoi Brazilit që Robinho ta vuante dënimin në atdheun e tij. Brazilianët do të votojnë për këtë sot.

Nëse magjistratët e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë (STJ) e pranojnë këtë kërkesë, do të jetë një vendim historik për Brazilin dhe Robinho do të bëhet i dënuari i parë që vuan dënimin në Brazil, edhe pse është dënuar nga një shtet tjetër.

Vendimi duhet të merret sot, por ka mundësi që një nga gjyqtarët të kërkojë edhe pak kohë për të analizuar të gjithë çështjen. Gjykata është e detyruar të vlerësojë nëse kërkesa e gjykatës italiane është e pranueshme nga pikëpamja ligjore.

Nëse kërkesa pranohet, Robinho nuk do të shkojë menjëherë në burg sepse do të ketë të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Lartë të Brazilit.

Sipas akuzës, Robinho dhe pesë brazilianë të tjerë e detyruan viktimën e tyre të pinte “derisa ishte pa ndjenja” dhe më pas kryenin marrëdhënie seksuale me të në një klub në Milano. Ish-futbollisti ka pohuar gjithmonë se është i pafajshëm dhe këtë vendim ia atribuon “racizmit”.

“Kam luajtur për katër vjet në Itali dhe kam parë shumë histori për racizmin. Ata që më dënuan janë të njëjtët që nuk bëjnë asgjë kundër racizmit”, tha Robinho në një intervistë për kanalin brazilian TV Record. /Telegrafi/