Rishi Sunak, britanikëve: Mos prisni që t’i zgjidh të gjitha problemet tuaja

Kryeministri britanik Rishi Sunak ka dhënë intervistën e parë pas marrjes së detyrës së kreut të qeverisë.

Ndër të tjera, Sunak iu drejtua qytetarëve duke ua bërë të qartë që mos të presin që ai të zgjidhë të gjitha problemet e tyre. Sunak tha se po përpiqet të rifitojë besimin e qytetarëve dhe po bën gjithçka për të përballuar problemet financiare.

Në një intervistë për The Times, Sunak tha se e njeh shqetësimin e njerëzve për rritjen e pagesave të hipotekave.

“Është e drejtë të jemi të sinqertë për kompromiset me të cilat përballemi – të gjithë tani flasin për huamarrjen, të gjithë e vlerësojnë se qeveria nuk mund të bëjë gjithçka,”, tha Sunak.

Sipas raportit, Sunack nuk pranoi të komentonte nëse ai po i qëndronte zotimit të manifestit konservator për të mos rritur tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në ose sigurimin kombëtar.

“Nuk do të flas për asnjë politikë tatimore”, sqaroi ai.

I pyetur nëse ai e kishte shqyrtuar propozimin për një votim të përbashkët me Boris Johnson në zgjedhjet e fundit të lidershipit të partisë, Sunak tha se ishte “shumë i qartë me Johnson pasi kisha mbështetje të fortë nga kolegët në parlament”.

Sunak u bë kryeministri i parë me ngjyrë i Britanisë muajin e kaluar, duke marrë detyrën gjatë një prej kohërave më të trazuara në historinë politike britanike.