Dialogu

Rinisja e dialogut, pritet “shtator i nxehtë”

Shtatori po pritet të jetë një muaj që do të përcillet me dinamikë më të shtuar diplomatike me synim të arritjes së progresit në dialogun Kosovë – Serbi.

Që po bëhen përgatitje për fazën e re të dialogut, ka njoftuar edhe emisari i BE-së Miroslav Lajçak, i cili ka bërë të ditur se në takimin e fundit me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë pasur diskutime të thelluara mbi dialogun, gjendjen e tij dhe rrugën përpara që e pret këtë proces.

Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci, thotë se para fillimit të dialogut do të duhej të hiqeshin masat e BE-së, ndaj Kosovës.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci, thotë se pavarësisht angazhimit të ndërkombëtarëve, nuk shihet ndonjë vullnet i palëve për të avancuar me dialogun.

Takimi i fundit në Bruksel në kuadër të dialogut ka qenë në nivel të kryenegociatorëve, nga ku është vendosur që në takimin e nivelit të lartë do të diskutohet për hartimin e planit të sekuencimit, për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit.