Rikthimi i Nexhat Krasniqit në pozitën e drejtorit të Zyrës së Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës në muajin dhjetor të vitit të kaluar, nuk është një çështje e përfunduar.
Që nga 28 janari i këtij viti, në tavolinat e ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ndodhet një dokument i cili hedh dyshime për shkelje ligjore me rastin e rikthimit në punë të Krasniqit, të dënuar me burgim 1 vjet e gjashtë muaj për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” në vitin 2015. Dokumentin ua ka dërguar rrjeti i OJQ-ve “AVONET”.
Raporti i “AVONET”, rrjeti i OJQ-ve i cili ka monitoruar rastin e zyrtarit Nexhat Krasniqi, kërkon nisjen e hetimeve ndaj tre zyrtarëve shtetërorë, të dyshuar për veprime të kundërligjshme në rastin e rikthimit në punë të drejtorit të Zyrës së Prokurimit në MI, shkruan Gazeta Insajderi.
“AVONET”, në raportin dërguar Abrashit dhe Isufajt, kërkon marrjen e masave dhe inicimin e hetimeve ndaj Izedin Bytyqit, Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Eshfref Shabanit, kryetar i Kolegjit në kuadër të KPMSHCK-së dhe Luljeta Maxhunit, gjyqtare e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Raporti nxit dyshime se të tre këta zyrtarë kanë nxjerr vendime të jashtëligjshme për rikthimin në punë të Nexhat Krasniqit, pavarësisht prej aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Supreme më 2019, i cili vërteton aktvendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin Krasniqi është dënuar me burgim një vit e gjashtë muaj për korrupsion.
Ndonëse dënimi ndaj Krasniqit ishte vërtetuar nga pesë shkallë të gjykatave dhe Sekretari i Përgjithshëm i MIT kishte nxjerrë vendim për “ndërprerjen e marrëdhënieve të punës” me të, përmes një vendimi të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Nexhat Krasniqi ka arritur të rikthehet në punë.
Sipas “AVONET”, pasi kishte shtruar ankesë ndaj vendimit për “Ndërprerje të Marrëdhënieve të Punës”, të nxjerrë nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, Krasniqi kishte parashtruar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës(KPMSHCK).
Krasniqi në cilësinë e propozuesit, në vitin 2018 ka parashtruar për përmbarim në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm-Divizoioni Civil, thuhet në raport. Në bazë të këtij propozimi Gjykata ka nxjerrë Aktvendimin Cp.nr. 2257/18 me të cilin ka detyruar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit që të lejojë Nexhat Krasniqin të ushtroi detyrën e Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit.
Siç njofton AVONET, kundër këtij aktvendimi, MIT përmes Avokaturës Shtetërore ka paraqitur Prapësim AVSH në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila ka refuzuar prapësimin e Ministrisë të parashtruar kundër aktvendimit për caktim të përmbarimit të lëshuar nga Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm.
Kërkesat e rrjetit të OJQ-ve “AVONET” duke u mbështetur në raportin e monitorimit të rastit:
Kërkojmë nga Prokuroria Speciale që të filloj hetimin ndaj z.Eshref Sabani-Kryetar i Kolegjit në kuadër të KPMSHCK për shkeljet që ka bërë me nxjerren e vendimit jashtë çdo afati të paraparë ligjor dhe në kundërshtim me Aktvendimin CML.nr.12/2019 e Gjykatës Supreme të Kosovës me të cilin kjo cështje konsiderohet si çështje e gjykuar-res judicata.
Po ashtu, kërkojmë që hetimi të filloj edhe ndaj sekretarit të Ministisë së Infrastrukturës z.Izedin Bytyqi për nxjerrjen e vendimit për kthimin në punë të zyrtarit, i cili ka qenë i dënuar për vepër penale të cilën e ka vërtetuar edhe Gjykata Supreme e Kosovës me Aktvendimin CML.nr.12/2019 datë 18.11.2019, njëherit i njejti ka qenë në dijeni për këtë Aktvendim dhe mozbatimi i vendimeve gjyqësore përbën vepër penale në bazë rë Kodit Penal të Kosovës dhe z.Byqtyqi duhet të jap përgjegjësi për këto veprime.
AVONET gjithashtu kërkon që pjesë e hetimit të jetë edhe gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës znj. Luljeta Maxhuni, e cila ka nxjerr Aktvendimin A.nr.17/2021 datë 11.01.2021 duke refuzuar propozimin për shtyerje të ekzekutimit të vendimit të KPSHCK-së A.nr.77/2019 i datës 04.12.2020 dhe ka rrezikuar rendin dhe sigurinë publike, duke mos trajtuar në mënyrë profesionale shkresat e lëndës dhe duke mos marr parasysh Aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës.
AVONET vlerëson se kjo lëndë nuk është përfaqësuar në mënyrë profesionale nga Avokatura Shtetërore, meqenëse në Aktvendimin A.nr.17/2021 datë 11.01.2021 të Gjykatës Themelore të Prishtinës thuhet se nuk janë sjell prova të mjaftueshme që të aprovohet ky propozim.
Kërkojmë nga ministri i Ministrisë së Infrastrukturës Arban Abrashi që sa më parë të reflektoj dhe ta zbatoj Aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, me të cilin është Aprovuar Kërkesa Për Mbrojtjen e Ligjshmërisë të Prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës.
Rastin i Nexhat Krasniqi, ka qenë target edhe nga zyrat ndërkombëtare dhe kjo ishte edhe temë e trajtimeve dhe luftimin e korrupsionit edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtar.
Raporti i plotë:













