Rikthimi i rasteve me koronavirus në Gjakovë: Si u infektuan 6 personat që dje dolën pozitiv

129 rastet pozitive me koronavirus që u shënuan dje në vend, prekën 19 komuna të Kosovës, ndër to edhe Gjakovën.

Në këtë vend, gjatë ditës së djeshme u regjistruan edhe gjashtë raste pozitive me Covid-19, pesë prej të cilëve janë raste kontakti me tre personat e infektuar ditë më parë në këtë komunë.

Ndërkaq, rasti tjetër është vatër e re, për të cilin ende nuk dihet se si e mori këtë infeksion.

Drejtori i Shëndetësisë së Gjakovës, Ferdinand Kolaj, i cili tutje njoftoi se gjendja shëndetësore e këtyre personave të infektuar është stabile.

“Pesë nga të infektuarit janë raste kontakti me tre personat e infektuar para tre ditëve, ndërsa një rast tjetër është vatër e re. Jemi duke bërë gjurmime për të kuptuar se si është infektuar ky person. Gjendja shëndetësore e këtyre personave të cilët vijnë, një nga qyteti, katër nga Rogova dhe një tjetër rast nga Meja, është stabile”, ka thënë Kolaj për Metron.

Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, IKSHPK njofton për gjurmimet e rasteve të reja të COVID-19, duke theksuar se po shtohet rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave.