Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ridvan Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj një vale të fyerjeve, kërcënimeve dhe shantazheve që, sipas tij, vazhdojnë t’i drejtohen shumë bashkëluftëtarëve të tij nga individë të caktuar të lidhur me Serbinë, por edhe nga vetë shqiptarë.
Në një mesazh të fortë publik, Tahiri shprehet se ai dhe shokët e tij të luftës janë ballafaquar me presione të tilla edhe gjatë luftës, dhe se përgjigjen e kanë dhënë “kur ishte koha dhe vendi i duhur”. Por ajo që e shqetëson më shumë sot, thotë ai, është urrejtja e panevojshme që po u drejtohet luftëtarëve të UÇK-së nga disa shqiptarë.
“Më çudit pse kaq shumë kjo urrejtje ndaj djemve të UÇK-së?
Nëse janë krah i luftës – menjëherë versuleni me sharje, fyerje e shantazhime.”
Tahiri u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e politikave ndarëse, të mos bëhen “kurbani i politikanëve”, pasi – siç thotë ai – politikanët kërkojnë vetëm përçarje për të arritur qëllimet e tyre.
Ai thekson se sulmet personale kundër familjeve të ish-luftëtarëve, nënave, motrave dhe familjarëve të tyre për çështje politike janë të papranueshme dhe rrezikojnë të çojnë në pasoja serioze.
“Mos o djem, dikur do të jetë vonë. Kujdes. Nuk i shahet nëna e motra, nuk sulmohet familja për politikë. Shantazhimet që po i bëni mund të shkojnë deri tek më e keqja.”
Tahiri apelon për qetësi, maturi dhe respekt, duke përfunduar me një paralajmërim të prerë:
“Ndalohet rreptësisht fyerja dhe sharja. Ne nuk jemi si ata.
Zoti qoftë me ju.”
Mesazhi i tij po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale dhe vjen në një periudhë tensioni politik ku debati publik rreth luftës, UÇK-së dhe figurave të saj është ashpërsuar dukshëm.







