Rexhep Gjergji

Rezultati në PISA, këshilltari i ministres Gërvalla i reagon ministres Nagavci: Qesharake!

Kosova u pozicionua në vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë në testin e PISA’së për vitin 2022. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ia la fajin pandemisë dhe ndërrimit të shpeshtë të qeverisë.

Arsyetimin e ministres Nagavci e quajti ‘qesharak’ dhe të ‘papërgjegjshëm’, Rexhep Gjergji, këshilltar i Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

“Arsyetimi i Ministres se Arsimit….. për rezultatin e dobët në PISA është qesharak dhe i papërgjegjshëm!”, ka shkruar Gjergji në Facebook.

Kujtojmë se, viti 2022 është hera e tretë që Kosova iu është nënshtruar testit për vlerësim ndërkombëtar të nxënësve, i njohur si PISA.

PISA është testi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim, i cili bën vlerësimin e njohurive të nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë.

Rezultatet e testit të mbajtur në vitin 2015 ishin publikuar në vitin 2016, dhe Kosova ishte radhitur në vendin e 68-të në mesin e 72-vendeve që kishin marrë pjesë në test.