Me t’u publikuar rezultatet e testit të PISA-s ku veçse është përkeqësuar gjendja në raport me vitin 2018, me nxënësit kosovarë thuajse në fund të kategorive për lexim, shkencë dhe matematikë, ka reaguar edhe gazetari Lirim Mehmetaj.
“Qeveria e Kosovës ia ka dalë që ta rëndojë situatën edhe në një fushë që supozohej që s’ka si bëhej më keq – në arsim”, ka shkruar Mehmetaj, teksa ka nxjerrë edhe krahasimet me vitin 2018 se “numri i nxënësve që nuk kuptojnë të lexuarit, nga 78% sa ka qenë në vitin 2018 është rritur në 83% në vitin 2022”.
Reagimi i Mehmetaj:
Kur mendon që s’ka më keq, ka më keq – Testi PISA tregon rezultate më të dobëta se në vitin 2018
Qeveria e Kosovës ia ka dalë që ta rëndojë situatën edhe në një fushë që supozohej që s’ka si bëhej më keq – në arsim.
Nga rezultatet që dolën sot të testit PISA, nga 80 shtete pjesëmarrëse, Kosova u rendit e 76 për lexim dhe e 77-ta për shkencë.
Numri i nxënësve që nuk kuptojnë të lexuarit, nga 78% sa ka qenë në vitin 2018 është rritur në 83% në vitin 2022.
Në matematikë kriza është thelluar, nxënësit kosovarë që kanë performuar nën nivel janë rritur nga 76% sa ishin në vitin 2018, në 85% në vitin 2022.
Ndërsa në shkencë nga 76% në vitin 2018, numri i performuesve të dobët është rritur në 79% në vitin 2022.
Kush ka faj tash? Lajçaku, Borrelli, Escobari?
A duhet të jap dorëheqje ministrja, cili është arsyetimi?






