presidentja e Kosovës

Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, “Nënë, ushtarët i vrasin fëmijët me plumba të vegjël, apo jo?” – Osmani kujton fjalët e fëmijës së pafajshëm që pyet nënën e tij

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, sot, ka miratuar rezolutën për ta shpallur 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Presidentja, përmes një postimi në platformën “X”, tha se “Ne do të kujtojmë! Më 11 korrik dhe çdo ditë!”.

“Me themelimin e sotëm nga AP e KB-së të Ditës Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, bota po u jep brezave të ardhshëm një shans për të mësuar nga mësimet e nxjerra nga Srebrenica”, tha Osmani.

E para e shtetit tha se njohja është një hap kyç drejt pajtimit dhe luftimit të mohimit të gjenocidit.

“Është thelbësore për shërimin dhe paqen e qëndrueshme, për t’u ofruar paqe nënave të Srebrenicës dhe të gjithë anëtarëve të mbijetuar të familjes, duke siguruar që të dashurit e tyre të mos harrohen kurrë”, ka shkruar presidentja.