Rezoluta kundër raportit Dick Marty-t, eksperti i sigurisë: Shqipëria po bën veprime konkrete

“Kjo është koha e duhur dhe qeveria shqiptare po bën veprime konkrete sa i përket padrejtësisë që është bërë me votimin në Këshillin e Evropës vite më parë.”

Kështu është shprehur Drizan Shala, ekspert i sigurisë, sa i përket rezolutës kundër raportit të Dick Marty-t që u diskutua këtë të enjte në Parlamentin e vendit.

Kjo, sipas tij është një iniciativë e mirë dhe duhet mbështetur edhe nga Kosova. Ky është një proces, shtoi Shala, që hap edhe mundësinë për shfuqizimin e gjykatës Speciale në Hagë.

Ndërsa duke u ndalur tek sanksionet që qeveria britanike njoftoi të enjten ndaj personave të lidhur me krimin dhe korrupsionin në Ballkanin Perëndimor, eksperti i sigurisë tha se sa i përket Kosovës, mund të presim të njëjtat emra si ato të shpallur nga DASH apo Thesari i SHBA-ve.

“Priten të njëjtat emra në veriun e Kosovës. Duhet të jenë edhe në listën britanike pasi SHBA dhe Britania e bashkërendojnë veprimet. Pritet edhe që të publikohen emrat e listës së zezë në Malin e Zi. Impakti do të jetë edhe në orientimet politike në 2023. /abcnews.al/