Rezoluta e PE që kërkon njohjen reciproke, Brnabiq: S’e kam të qartë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, thotë se nuk e ka të qartë rezolutën e Parlamentit Evropian, i cili u miratua më 6 korrik dhe ku kërkohet që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje bazuar në njohjen reciproke.

Brnabiq deklaroi se ajo “mund të supozojë vetëm se Parlamenti Evropian do të urdhërojë Komisionin Evropian që të ndryshojë atë pozicion negociues”.

“Komisioni Evropian në dokumentin e tij zyrtar, qëndrimin negociator për kapitullin 35, që në rastin tonë ka të bëjë me Kosovën dhe normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, nuk përmend asnjë fjalë njohjeje, por thotë normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Prishtinën. Dhe pastaj nuk e kam të qartë se si do ta ndryshojë pozicionin negociues në mes të procesit të bisedimeve, sepse këto nuk janë ndryshime të vogla në rregulla. Do të ketë ndryshime të mëdha”, tha Brnabiq, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Ajo shtoi se për sa i përket asaj, “topi tashmë është në fushën e Brukselit”.

“Dhe prandaj, tani po kërkoj nga BE-ja të na tregojë nëse rregullat e lojës po ndryshojnë tani apo nëse ne kemi ende këtë pozicion negociues që kemi pasur në dialog dhe që kemi”, tha Brnabiq.

Në lidhje me kërkesën mbi vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, Brnabiq tha se Serbia nuk ka një qëndrim fillestar, një kornizë negociuese që ka të bëjë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, të miratuar nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare.