Mbi 600 mijë euro u dëmtua buxheti i Kosovës për shkak të rezervave shtetërore që rezultuan me arrestimin e tre personave e më pas lirimin e tyre. Për shkak të një bisede telefonike mes Mimoza Kusari-Lilës dhe Milan Radojçiq në Kuvendin e Kosovës pati përleshje për të cilën Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë Besnik, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku e Bekim Haxhiu. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës angazhoi këshilltar të jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike, Gani Jakupin me pagë 7500 euro. Dhe sikur të mos mjaftonin këto skandale, Kosova nga fundi i qershorit vazhdon të jetë nën masat ndëshkuese të BE-së për shkak të ngjarjeve të majti që ndodhën në veri.

Afera me rezervat shtetërore

Në shkurtin e vitit 2022 kur edhe filloi invazioi rus ndaj Ukrainës, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 10 milionë euro për “rritjen e rezervave shtetërore”.

Teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdonte me intensitet të lartë në muajin mars, Qeveria Kurti përmes Ministrisë së Tregtisë kishte nisur të blinte grurë për rezerva shtetërore. Përveç grurit kishin filluar proceduar edhe për blerjen e vajit dhe sheqerit nga kompanitë turke dhe polake.

Bëhej fjalë  10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro, shuma këto të paguara në tërësi në formë të avansit. Mirëpo buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro pasi që përkundër faktit se pagesat janë realizuar, MINT si autoritet kontraktues ka pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar, ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare.

Ndërmjetësimin mes MINT-it dhe kompanive të huaja e bënte biznesmeni Ridvan Muharremi, i cili për këtë punë do të përfitonte 2 deri në 3 %. Për këtë Ridvan Muharremi, dhe dy zyrtarë të MINT-it Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, u arrestuan më 18 gusht. Mirëpo nuk shkoi shumë kohë dhe Prokuroria liroi tre të dyshuarit.

Për shkak të kësaj afere partitë opozitare kanë kërkuar që të formohet një komision hetimor parlamentar që në përpjekjen e tetë arriti të konstituohet.

Afera Zdravo

Më 10 korrik u publikua një audio-incizim i shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, duke biseduar me deputetin serb, Slavko Simiq.

Në këto biseda, Kusari-Lila e konfirmon se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryekriminelin, Milan Radojiçiq. Edhe pse Kusari-Lila fillimisht e mohon komunikimin, ajo më pas thotë se “Slavko ia ka lëshuar në interfon”.

Në këtë bisedë dëgjohet shefja e deputetëve të VV-së duke biseduar për miratimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për ligjin e pagës minimale dhe veteranëve, e ofendon nënkryetarin e PDK-së, Uran Ismailin, duke e quajtur “idiot patetik”, si dhe e përmend Ramush Haradinajn e Bekim Haxhiun.

Krejt kjo situatë ngjalli shumë reagime të cilat kulmuan me një përleshje fizike në Kuvendin e Kosovës. Për shkak të të cilës Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve të PDK-së, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku e Bekim Haxhiu për rrahjen në Kuvendin e Kosovës.

Pikërisht në atë seancë pas largimit të opozitës, pushteti miratoi disa pika në seancë, në mesin e tyre edhe Ligjin për Pagën Minimale duke përjashtuar veteranët. Afera “Zdravo” e publikuar nga Nacionale dhe lënia jashtë e veteranëve nga rritja e pagës minimale, bëri që veteranët të dalin të protestojnë më 15 korrik.

Paga 7500 euro e Gani Jakupit

Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet Ambasadës së Kosovës në Bruksel, ka lidhur me një person që quhet Gani Jakupi dhe që paguhet 7500 euro në muaj.

Lajmi që bëri bujë të madhe dhe u bë shkas që ministrja Donika Gërvalla të ballafaqohej me pyetje rreth saj në Komisionin Parlamentar, po ashtu u bë shkas edhe për reagime si ky i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ani pse ministrja Gërvalla e quajti ‘projekt’ këtë kontratë, në dokumentet e publikuar, askund nuk përmendet fjala ‘projekt’.

Kontrata pesëfaqëshe, që përmban pjesën kryesore me tri fletë dhe dy me një aneks-kontratë, e obligon z.Gani Jakupin qe merr 7,500 euro pagë mujore nga Kosova, që të angazhohet kryesisht në: takime me gazetarë, artistë, drejtorë festivalesh, etj.

Përveç pagës mujore, Jakupit i mbulohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, edhe shpenzimet e takimeve me gazetarë e artistë, shumën e të cilave, Periskopi nuk ka arritur ta sigurojë, por kontrata e specifikon mbulueshmërinë e këtyre shpenzimeve.

Kush është Gani Jakupi – Konsulenti që i kushton shtetit të Kosovës 7 mijë e 500 euro në muaj?

Referuar të dhënave online dhe intervistave të Jakupi për mediume të ndryshme shqiptare (televizione dhe media online), Gani Jakupi është i njohur në fushën e romanit grafik, stripit, muzikës xhaz dhe gazetarisë.

Ai është aktiv në rrjetin social ‘X’, aty ku vërehen edhe disa mesazhe mbështetëse për kryeministrin Albin Kurti.

Sipas Ligjit për paga në sektorin publik, paga e një ambasadori të Kosovës, është 1 mijë e 344 euro. Këshilltari e ka pagën 882 euro. Konsulli e ka pagën 798 euro, zëvendës konsulli e ka koeficientin 7.2 dhe paguhet 756 euro, ndërsa agjenti- Konsullor paguhet 609 euro. Të njëjtën pagë dhe koeficient ka edhe atasheu.

Masat e BE-së për Kosovën

Tensionet në veri gjatë muajit maj sollën në fund të qershorit ndëshkimin e Bashkimit Evropian për Kosovën. Më 28 qershor BE vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, si pasojë e vlerësimit se nuk janë ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.

Këto masa përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

Masat e BE-së vazhduan për muaj me radhë, pavarësisht se në një takim të zhvilluar, më 12 dhjetor, nga ministrat e Bashkimit Evropian, është thënë se BE-ja ka gatishmëri në heqjen e masave, në rast se do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave. Angazhimi i Kosovës në dialogun me Serbinë, që ndërmjetëson BE-ja, është përmendur si njëra prej tyre.

Për Bashkimin Evropian duket se këto kërkesa nuk janë duke u realizuar, pasi që Kosova ende vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të BE-së. Dhe duket se viti 2023 do të gjejë Kosovën te sanksionuar./Ballkani.info/