AGK

Rexha dhe Kusari thirrje Qeverisë të tërhiqet nga projektligji për KPM-në: Rrezik për zvogëlim të pluralizmit medial

Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, dhe juristja e medias, Flutura Kusari, kanë shprehur shqetësimet dhe vërejtjet e shoqërisë civile rreth Projektligjit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM).

Përmes një konference të përbashkët për media, i kanë bërë thirrje Qeverisë të tërhiqet nga ky projektligji.

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka bërë që ky Projektligj të tërhiqet dhe të mos miratohet në lexim të dytë, ndërsa kritika ka për ekzekutivin e mazhorancën. Këto të dyja sipas tij nuk i kanë marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile dhe bashkësisë ndërkombëtare.

“Qëllimi i kësaj konference është të shprehim pakënaqësitë tona për ligjin e KPM-së sepse siç e dini sot në rend dite është miratimi në lexim të dytë i projektligjit për KPM të cilën tashmë në mënyrë publike si pjesë e shoqërisë civile e kemi shprehur pakënaqësitë tona dhe vërejtjet më të cilat ky ligj është miratuar. Si AGK kemi thënë disa here se shoqëria civile nuk ka qenë e përfshirë  më fazat kryesore të hartimit të këtij ligjit. Qeveria Kosovës, partia në pushtet nuk ka qenë e interesuar të flas me të gjithë akterët që janë pjese e rëndësishme të industrisë së mediave të flas me të për ligjin sa me te mirë edhe pse ka pas kohën e duhur ne dispozicion”, u shpreh Rexha, raporton Ekonomia Online.

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka thënë se “pasoja kryesore nga ky projektligj është zvogëlimi i pluralizmit medial”.

“E ftojmë Lëvizjes Vetëvendosje mos ta votojë këtë ligj, dhe draftimi i tij të bëhet përmes një grupi punues siç ka kërkuar edhe Këshilli i Evropës. Qëllimi fillestar i Qeverisë ishte t’i kontrollonte mediat online përmes KPM-së dhe kur e pa që ligjërisht nuk është e mundur e ka propozuar njëfarë regjistrimi por është aq keq i rregulluar sado të shkaktojë kaos ligjor dhe nuk do të funksionojë”, u shpreh Kusari, teksa mediat online i cilësoi si storie suksesi.

“Nëse aprovohet ky projektligj, këshilli i mediave do të dobësohet në një moment kur ka reformë të mirë të brendshme”, u shpreh ajo.