Restorani në Kamenicë që dy muaj dhuron ushqim falas për punëtorët shëndetësorë VIDEO

Ka më shumë se dy muaj që kur restoranti “Prive” në Kamenicë dhuron ushqim falas për punëtorët shëndetësorë atje.

Pronari Fitim Gagica i dërgon vetë nga dy shujta në ditë, të shoqëruara me pije, në Qendrën e Mjekësisë Familjare të këtij qyteti.

“Duke e parë situatën në të cilën gjendemi, ne e kemi pa të nevojshme bashkë me stafin që t’i dalim në ndihmë Qendrës Mjekësore këtu në Kamenicë duke dërguar afro 60 shujta në ditë”, tha Gagica.

Për ushqimet falas, që marrin çdo ditë, janë falënderues punëtorët shëndetësorë të kësaj qendre.

“Në këtë mënyrë kemi bërë kursimin e kohës, si dhe janë shkurtuar edhe pauzat. Edhe efektiviteti i punës së mjekësisë familjare në këtë rast është rritur”, tha Getoar Dermaku, doktor në këtë qendër spitalore.

Gagica, i cili njihet si humanist i madh në këtë anë, tha se ndihmën për punëtorët shëndetësorë nuk do ta ndalë deri në përfundim të pandemisë.