Koronavirusi

Respiratorët që në Bosnjë arritën nga Kina, nuk vlejnë, janë porositur nga një prodhues i mjedrës

Qindra respiratorë nga Kina, që janë blerë kohë më parë nga shtabi i krizës i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës për spitalet në atë etnitet, janë të papërdorshëm dhe nuk do të shfrytëzohen në njësitë e kujdesit intensiv për trajtimin e pacientëve të infektuar rëndë me koronavirus.

Këtë e ka konfirmuar Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës, raporton “index.hr”.

Prokuroria shtetërore ka qartësuar se bazuar në hetimet për prokurimin e diskutueshëm për sigurimin e respiratorëve, të hapura më 4 maj, janë kryer ekzaminime të makinave të blera në Kinë. Është konfirmuar se ato nuk posedojnë as karakteristikat minimale të nevojshme për trajtimin e duhur të pacientëve, përfshirë edhe ata me Covid – 19.

“Nuk rekomandohet përdorimi i këtyre respiratorëve në njësitë e kujdesit intensiv”, thuhet në deklaratë. Hetimet po vazhdojnë, ndërkohë që po shqyrtohen të gjitha rrethanat në të cilat janë blerë respiratorët me fonde buxhetore.

Në të vërtetë sigurimi i respiratorëve është shndërruar në aferë, kur u kuptua se shtabi federal i krizave i ka blerë ata me ndërmjetësimin e kompanisë “Srebrena malina”, e regjistruar për kultivimin dhe përpunimin e frutave dhe perimeve. Pronar i kompanisë është Fikret Hoxhiq, personi i njohur vetëm për atë që udhëheq një shfaqje televizive në një televizion lokal.

Kompania e tij në kohën kur u nënshkrua marrëveshja nuk ka pasur lejen e nevojshme për tregti me pajisje mjekësore. Por ajo ka fituar punën e vlefshme 5,3 milionë euro. U paraqitën pyetje për atë se kush në të vërtetë kishte përfituar nga kjo punë e dyshimtë, që përfundoj me marrjen nga Kina të respiratorëve të papërdorshëm, të prodhuar nga kompania “Bejing Aerospace Changfeng”.

Tashmë është bllokuar xhirollogaria e kompanisë së mjedrave, ndërsa Hoxhiq dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje Civile, Fahrudin Solak dyshohen për veprën penale të pastrimit të parave dhe abuzim me pozitën dhe autoritetin zyrtar.