Reshjet e shiut ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve, pesë të tilla vetëm sot (FOTO/VIDEO)

Aksidentet e trafikut janë bërë temë shqetësuese që nga viti i kaluar, ku numri i personave që kishin humbur jetën në to kishte kaluar numrin e personave që kanë humbur jetën nga vrasjet.

Policia e Kosovës kishte apeluar për kujdes të shtuar, sidomos në ditët kur vendi është përballur me reshje të mëdha të borës e shiut.

Në anën tjetër, vetëm sot kanë ndodhur pesë aksidente rrugore, ku ka pasur edhe të lënduar, transmeton Ballkani.info.

Aksidenti i parë ka ndodhur në Prizren ku një vozitës ka goditur një shtyllë në rrugë me ç’rast i është rrokullisur vetura.

Aksidenti i dytë ka ndodhur në lagjen ‘Arbëria’ në Prishtinë, ku janë përfshirë dy vetura dhe ka pasur të lënduar, shkruan Ballkani.info.

Një aksident tjetër i rëndë ka ndodhur në rrugën Rahovec-Malishevë, ku janë përfshirë dy vetura të tipit ‘VW’ dhe një kamion.

Në Fushë-Kosovë, gjithashtu sot ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë dy vetura.

Aksidenti i fundit deri më tani, ka ndodhur në rrugën Gjilan-Prishtinë e cila ka bllokuar rrugën në fjalë, ku shihet edhe në foto kolona e gjatë e veturave.

Kujtojmë se vetëm gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka raportuar se kanë ndodhur 25 aksidente trafiku.

Policia ka bërë apel tek vozitësit disa herë për të shtuar kujdesin në trafik. /Ballkani.info