Reshjet e shiut dhe borës, Rugova tregon a rrezikohet Kosova nga vërshimet gjatë kësaj jave

Të reshurat e shiut që kanë filluar nga mbrëmja e së dielës e që po vazhdojnë edhe gjatë së hënës, kanë shkaktuar përmbytje në disa fshatra të vendit. Meteorologu Mendim Rugova, ka treguar për Express se a mund të ketë vërshime gjatë ditëve në vazhdim

Rugova ka deklaruar se deri në fund të javës do të ketë reshje shiu dhe bore.

Ai tha se reshjet që ranë gjatë natës, kanë shkaktuar përmbytje në disa pjesë të vendit.

“Gjatë kësaj jave, parashihet të kemi mot më dinamik, me të reshura shiu e nga dita e martë edhe me reshje bore, derisa të reshura priten edhe ditëve të fundjavës. Reshjet e borës do të zgjasin gjatë ditës së martë, e nga e mërkura pritet një stabilizim i përkohshëm i motit.  Reshjet që ranë gjatë natës, ishin mjaft intensive në disa pjesë të vendit, që edhe shkaktuan përmbytje lokale”, ka deklaruar Rugova.

Ai tha se të reshurat e parashikuara gjatë fundjavës, mund të sjellin përmbytje në rajonin e Dukagjinit.

“Deri të mërkurën, temperaturat minimale zbresin në -5 gradë Celsius, derisa ato maksimalet e ditës do të jenë pranë 0 gradë Celsius. Të reshurat e parashikuara sidomos gjatë fundjavës që mund të jenë të intensitetit mesatar, mund të paraqesin kushte për përmbytje në ditët e ardhshme, sidomos nga rajoni i Dukagjinit. Mirëpo, situata më e vështirë po pritet të jetë përgjatë bregdetit shqiptar”, ka deklaruar Rugova.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme është raportuar për vërshime në fshatin Polluzhë të Komunës së Drenasit dhe në fshatin Gllamnik të Podujevës.  

Vërshimet në Gllamnik iu kanë shkaktuar dëme disa familjeve.

Ndërkaq si pasojë e reshjeve të shiut, është shkaktuar rritje e nivelit të ujit në rrugën regjionale Drenas-Skenderaj.