Republika e Kosovës, partnere kredibile e Koalicionit Global Kundër Daesh

Në cilësinë e kryesuesit të delegacionit të Republikës së Kosovës, Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, z.Astrit Zemaj, të mërkurën, në Londër, mori pjesë në takimin e radhës të Grupit Punues të Komunikimit të Koalicionit Global Kundër Daesh (ISIS/ISIL).

Zv.Drejtori i Përgjithshëm tha se Republika e Kosovës ka bërë hapa konkret në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe se do të jetë gjithmonë partnere kredibile dhe e besueshme në luftën kundër terrorizmit global. “Kosova është duke kontribuar fuqishëm në parandalimin e dukurive të mundshme negative, kundër ekstremizmit dhe radikalizimit. Kjo, sepse populli i Kosovës beson në vlerat e lirisë, paqes, tolerancës, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të një shoqërie demokratike”, tha z.Zemaj.

Pjesë e punës së kryesuesit të delegacionit të Republikës së Kosovës, z.Zemaj, ishte edhe kontributi i tij në diskutimet mes anëtarëve të kësaj aleance për bashkërendim strategjik të aktiviteteve nacionale, planin e punës për vitin 2020, aktivitetet specifike që dalin nga ky plan vjetor, si dhe shkëmbimi i informatave mbi zhvillimet e përgjithshme nga territoret e prekura.

Zv.Drejtor i Përgjithshëm, në këtë takim dhe takimet tjera të mbajtura në margjinat e kësaj konference, shoqërohej nga e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër, znj.Arrita Gjakova. Republika e Kosovës, së bashku me 81 vende të tjera të botës, është anëtare e Koalicionit Global Kundër Daesh, koalicion ky që ka për objektiv themelorë shkatërrimin e rrjetit operativ të ISIS/ISIL, si dhe ka për qëllim parandalimin e financimit dhe ndalimin e bashkëngjitjes së luftëtarëve të huaj në luftë.

Për më shumë, ky koalicion synon edhe mbështetjen e stabilizimit dhe zhvillimin e infrastrukturës publike në pjesët e çliruara nga ISIS/ISIL, si dhe luftimin e propagandës që nxitë ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin kudo nëpër botë.