Reperi kosovar, Besjan Kacorraj, i njohur me nofkën Besko, është arrestuar nga Policia Kantonale e Cyrihut në Zvicrë pasi dyshohet për grabitje të armatosur në filialin e një poste në Dubendorf të Zvicrës.
Siç raporton gazeta zvicerane Blick, reperi Besko kërcënoi dy të punësuar në një filial të një poste në qytezën Dübendorf të Zvicrës më 19 shkurt dhe vodhi disa qindra franga.
Dy ditë më vonë, Policia Kantonale e Cyrihut e arrestoi Besjan Kacorrajn lidhur me grabitjen në Dubendorf. Blick shkruan se Besko është reper i njohur në Cyrih, raporton Insajderi.
Besko ndodhej në Zvicër përkohësisht, pasi prej tre vitesh jeton në Prishtinë. Ai ishte dëbuar nga Zvicra në vitin 2016 dhe i ishte vendosur ndalesë për t’u kthyer në Zvicër në katër vitet e ardhshme, pasi edhe asokohe ishte dënuar për grabitje të armatosur.
Por, siç raporton Blick, reperi kosovar ndodhej në Zvicër me një vizë pezullimi e cila jepet në raste të thirrjeve gjyqësore, vdekjes së një anëtari të ngushtë të familjes që jeton në Zvicër apo në rast të vizitës tek ndonjë anëtar i familjes.







