Rendimentet e grurit këtë vit, jo të kënaqshme

Ditët e fundit nëpër mbarë Kosovën ka nisur fushata e korrje-shirjeve, e cila këtë vit po përcillet me interesim të shtuar sidomos pas paralajmërimeve globale për krizë të grurit dhe produkteve të tjera.

Megjithatë, kjo krizë ka ndikuar edhe në rendimentin e grurit në vend, pasi sipas fermerëve dhe njohësve të kësaj fushe, këtë vit rendimenti i grurit do të jetë më i dobët

“Nëse kishim pas pasje më të reja më të avancuara besoj se rendimenti kish me qenë për 30 për qind më i madh se tash”, thotë fermeri Elmi Çupeve.

Është në përfundim të korrje shirjes brenda një parcele të mbjellë me grurë, fermeri Elmi Çupeve nga Klina, i cili ka të mbjellë 120 hektarë me këtë kulturë ka ende shumë punë por jo edhe gëzim të madh nga ajo. Këtë vit ai thotë se ka rënie të rendimentit të grurit.

“Pikërisht në këtë parcelë që jemi tue korr sot, rendimenti vitin që shkoi ka qenë 7.2, kurse këtë vit po presim 4.5 diku. Në këtë kanë ndikua kushtet klimatike, por pak edhe mungesa e plehërimit në sasinë e duhur, për shkak të rritjes së çmimit”, thotë  Elmi Qupeva.

Rendiment më të ulët kishte edhe fermeri tjetër Lazër Krasniqi.

“Një pjesë i kam pas 40 ari i ka qitë 35 thasë, një vend i kam pas 80 ari i ika qitë 38 thasë, shumë dobët”, thotë Krasniqi.

Se ka rendiment më të ulët këtë vit e pohon edhe Imer Rusinovci-profesor i kulturave lavërtare.

“Ndërrimet klimatike, pastaj kriza energjetike dhe shtrenjtimi i plehrave dhe naftës që është shumë kosto më e shtrenjtë në raport me vitet paraprake, kanë ndikua në rendimentin e grurit”, thotë Rusinovci për RTK.

Se moti jo i favorshëm, pati ndikim për një rendiment shumë më të ulët në disa pjesë të Kosovës, e pohojnë edhe në Ministrinë e Bujqësisë.

“Rendimenti mesatar sipas konststatimeve të para që janë bë, do të sillet brenda një rendimenti që ekziston në Republikën e Kosovës, bazuar në statistika në 10-vjeçarin e fundit, ku rendimenti më i ulët ka qenë 3.500 kilogram, kurse ai më i lartë ka qenë 4 600 kilogram”, thotë Isuf Cikaqi nga Ministria e Bujqësisë.