Remzi Ejupi akuza të rënda FFK-së: Po blejnë paqen me klube për t’i fshehur dallaveret

Presidenti i FC Prishtina, Remzi Ejupi pretendon se në Federatën e Futbollit të Kosovës ka keqpërdorime të mëdha financiare dhe se grupi i cili ka uzurpuar FFK-në ka blerë paqen e disa klubeve

“Për arsye se janë që 30 vjet njerëzit, janë duke u harxhuar, shpenzuar, për të arritur deri këtu. Tani, kur ka ardhur koha që të kenë të hyra financiare nga jashtë, shumica e klubeve pretendojnë dhe mendojnë se në FFK ka keqpërdorime jashtëzakonisht të mëdha dhe për t’i mbuluar keqpërdorimet, natyrisht se mundohen t’i mbajnë sa më të mbyllura, ndonjëherë edhe duke e blerë paqen. Disa klube të cilat janë në gjendje të vështirë financiare, këta (FFK) mundohen që të blejnë heshtjen e tyre”, ka thënë numri një i Prishtinës për “Insportin”.

Sipas Ejupit, nuk janë vetëm keqpërdorimet financiare që është dashur të shqyrtohen në Kuvendin e Punës, por ka dyshime edhe për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës. Ai mendon se humbja me Maqedoninë e Veriut i ka kushtuar FFK-së me 15 milionë euro, të cilat do t’i inkasonte në rast të fitores. Po ashtu, përmend edhe infektimin e përzgjedhësit Bernard Challandes dhe humbjen me Slloveninë.

“Është dashur të mbahet Kuvendi, ka keqpërdorime shumë të mëdha. Shume herë kemi kërkuar që të bëhet një auditim nga jashtë, të pavarur, por jo auditim që e bëjnë ata sipas dëshirës së tyre, thirren se është një auditim i rregullt, por nuk është ashtu. Është një injorancë totale aty brenda. Është një pjesë, një strukturë që punon për interesa personale, kështu që lë shumë për të dëshiruar. Si humbja e Përfaqësueses së Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut, me atë humbje ne kemi humbur 15 milionë euro. Lë për të dyshuar pse futbollistët nuk arritën të grumbullohen, pse në momentin kyç u infektua përzgjedhësi Bernard Challandes, besoj që nuk ka pranuar të jetë pjesa e ndeshjeve. Shumë ka dyshime të mëdha se si është humbur edhe ndeshja me Slloveninë, lë dyshime në bastore”, ka vlerësuar biznesmeni Remzi Ejupi.