Diaspora

Remitencat në Kosovë, vetëm në muajin gusht u dërguan mbi 140 milionë euro

Mërgata e Kosovës vazhdon të kontribuojë në dërgimin e parave për familjet e tyre, pavarësisht krizës ekonomike botërore të shkaktuar nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë që nga shkurti i 2022-së.

Kështu thuhet në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) mbi remitencat dhe tregtinë e mallrave për muajin gusht 2023, duke shtuar se deri në fund të korrikut kanë arritur vlerën e mbi 750 milionë eurove.

“Sipas vlerësimeve preliminare remitencat për muajin gusht ishin rreth 142.2 milionë euro. Prurjet më të mëdha edhe gjatë këtij muaji kanë qenë përmes institucionet financiare jo-bankare me 42 për qind, kanalet tjera me 40 për qind, ndërsa përmes bankave me 19 për qind”, thekson BQK-ja, shkruan Telegrafi.

Po ashtu, aty theksohet se rritja e remitencave për shtatë muaj, krahasuar me periudhën e njëjtë, ishte 12 për qind.

“Remitencat deri në fund të korrikut 2023 arritën vlerën rreth 754 milionë euro, që paraqet rritje prej 12 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, ku vetëm në muajin korrik ishin 118.8 milionë euro. Remitencat kryesisht vijnë nga shtetet BE-së rreth 70 për qind, e gjithsej remitencave, prej të cilave kryeson Gjermania me 38.1 për qind dhe ndiqen nga Zvicra me 17.6 për qind dhe SHBA-ja me rreth 7.5 për qind”, shton raporti.