Rekrutohen 61 gjyqtarë të rinj nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe avancohen 73 të tjerë në kategori më të lartë

Komisioni i Gjyqtarëve në krye me Përparim Hasanin, në mënyrë që të plotësojë nevojat që dalin për mbulimin e të gjitha ndeshjeve në të gjitha kategoritë, ka bërë rekrutimin e gjyqtarëve të rinj nga të gjitha rajonet e Kosovës.

Këtij rekrutimi i ka paraprirë thirrja e cila është bërë për aplikim në regjionet përkatëse. Përgjatë tre muajve janë mbajtur ligjëratat teorike dhe fizike dhe në bazë të performancës dhe aftësive të tyre, këta gjyqtarë iu kanë nënshtruar testeve finale, ku kanë arritur të kalojnë 61 gjyqtarë.

Në të njëjtën kohë, në bazë të testimeve dhe performancës së tyre, është bërë edhe avancimi i gjyqtarëve të cilët kanë qenë të pajisur me kategorinë e katërt dhe 73 prej tyre janë avancuar në kategorinë e tretë./Demokracia.com/