Rekordi i ri, mbi 22 mijë e 500 vaksinime të premten në Kosovë

Për herë të parë që nga nisja e vaksinimit masiv, e premtja e 20 gushtit ka çuar në mbi 22 mijë e 500 shifrën e vaksinave të administruara për një ditë të vetme. Vetëm sot janë kryer 22 mijë e 509 vaksinime.

Bazuar në statistikat e ofruara nga Ministria e Shëndetësisë, deri tash janë imunizuar rreth 455 mijë qytetarë. 234 mijë kanë marrë të dy dozat, ndërsa 220 mijë deri tash janë në grupin e të vaksinuarve vetëm me dozën e parë.

Në shifra të përgjithshme, numri i vaksinave të administruara i është afruar 700-mijëshit. 689 mijë e 534 doza janë administruar deri tash.

Procesi i vaksinimit nga kjo javë është i mundshëm edhe të shtunave, pas disa javësh pushim vikendeve.

Rritja e numrit të vaksinimeve ditore vjen në ditët kur po regjistrohen shifra rekorde të rasteve të reja me virus. Të premten u regjistruan 2250 raste të reja duke e rritur numrin e rasteve aktive në 16 mijë e 341. Shifra më e lartë e rasteve të reja doli në ditën kur janë kryer më së shumti testime – 11 mijë e 814.

Situata me COVID-19 është përkeqësuar ndjeshëm në ditët e fundit. Tri ditët e fundit regjistruan mbi 6000 raste të reja bashkë, ndërsa krahas rritjes së numrit të rasteve është rritur edhe numri i fataliteteve.

Sot janë regjistruar katër vdekje, ndërsa dje u regjistruan tetë.

Që nga fillimi i pandemisë deri tash janë regjistruar 125 mijë e 348 raste pozitive. Nga ta 106 mijë e 700 janë shëruar e 2307 kanë humbur betejën me virusin.