Reka i numëroi “gabimet” Amerikës, këshilltari i Thaçit i numëron atij ndërrimin e 14 partive

Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, ka reaguar pas deklaratave të ministrit Blerim Reka për gabimet e Amerikës, duke ia numëruar atij ndërrimin e 14 partive politike në Kosovë dhe Maqedoni.

Reka, i cili duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2019 për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, tha se kryeministri ka kompetenca ta drejtoi dialogun me Serbinë.

Por, këshilltari i Thaçi sqaron se në këtë lëndë të trajtuar nga Gjykata Kushtetuese çështje ishte vetëm vlerësimi i kushtetutshmërisë së kompetencave që dilnin nga ky ligj kundrejt kompetencave të Kuvendit, Qeverisë dhe kryeministrit, jo kundrejt kompetencave kushtetuese të presidentit.

“Nëse veç ndërrohen pyetjet dhe kërkohet nga Gjykata Kushtetuese vlerësim i kushtetutshmërisë së kompetencave të presidentit dhe kryeministrit në politikën e jashtme, atëherë ndërron krejtësisht edhe përgjigjja!”, ka thënë Behramaj.

Ky është statusi i plotë i këshilltarit politik të Thaçit:

Ky ministri Blerim Reka, që sonte i dha vetes të drejtë të flasë në emër të Republikës së Kosovës për “gabimet” e Amerikës, ishte koleksionuesi më i madh i librezave të partive politike në tërë rajonin tonë. Shumë fleksibil dhe kudo lehtësisht i integruar. Por, dezintegrimin si proces e kishte edhe më të lehtë. Megjithatë, fatkeqësisht, tash aspak i lumtur që ka përfunduar në Ministrinë e Integrimit Evropian. Me ato që i diheshin publikisht, që doni edhe mos besoni, deri më tash i kishte ndërruar 14 parti politike. Në Kosovë fillimisht kishte qenë pjesë e LKJ-së, pas saj e UJDI-t, më pas edhe e LDK-së, PDK-së, AKR-së, AAK-së dhe tash është stacionuar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Në Maqedoni kishte qenë pjesë e PPD-së, pas saj e PDSH-së, dikur ishte bërë edhe i BDI-së, më pas i VMRO-s, LSDM-së, BESA-s dhe në fund i ALEANCA-s.

Si pjesë e këtyre 14 partive politike, herë kishte qenë aktivisht i përfshirë dhe herë-herë edhe këshilltar politik i liderëve të tyre. Por, ndërrimin e partive politike nuk e kishte obsesion të vetëm. Ai ishte i dhënë shumë edhe pas ndërrimit të kravatave dhe mindilave, kryesisht pas çdo takimi zyrtar, deri në 4-5 herë brenda ditës. Duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2019 për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, ai sonte i pështjelloi edhe kompetencat kushtetuese. Por, këtu çështje ishte vetëm vlerësimi i kushtetutshmërisë së kompetencave që dilnin nga ky ligj kundrejt kompetencave të Kuvendit, Qeverisë dhe kryeministrit, jo kundrejt kompetencave kushtetuese të presidentit.

Dallim i madh, si nata me ditë! Këto dy të fundit nuk mund t’i ndërroni si ithtar i ndërrimeve, por nëse veç ndërrohen pyetjet dhe kërkohet nga Gjykata Kushtetuese vlerësim i kushtetutshmërisë së kompetencave të presidentit dhe kryeministrit në politikën e jashtme, atëherë ndërron krejtësisht edhe përgjigjja!