Reka do ta njoftojë Prokurorinë për ligjshmërinë e kontratave lobuese të MIE-së

Kontratat lobuese milionëshe të Ministrisë së Integrimit Evropian nën udhëheqjen e Dhurata Hoxhës të PDK-së, janë duke u shqyrtuar nga qeverisja aktuale.

Ministria e Integrimit në periudha të ndryshme gjatë 2019-s kishte nënshkruar tri kontrata lobuese, raporton KTV.

Në mars të vitit të kaluar, ministrja Dhurata Hoxha kishte nënshkruar kontratën me kompaninë franceze “MAJORELLE PR & Event” për të treguar çdo muaj se çfarë po raportonin mediat franceze për Kosovën.

Vlera e kontratës 6-mujore është 168 mijë euro apo 28 mijë euro për çdo muaj.

Kjo kontratë mban firmën edhe të sekretarit të përgjithshëm edhe të shefit të prokurimit të kësaj ministrie.

Zëvendësministri i Integrimit, Taulant Kryeziu, thotë se janë duke u parë të gjitha kontratat për të cilat ka dyshime nëse janë respektuar procedurat ligjore.

Kontrata tjetër që është nënshkruar në korrik të 2019-s, është me kompaninë amerikane “Madison Global Strategies” në vlerë të 152 mijë eurove.

Kompania amerikane ishte kontraktuar për të kryer shërbime të konsulencës në favor të Ministrisë dhe takime me anëtarë të Kongresit dhe të Administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Por, në tetor të vitit të kaluar, kësaj kompanie i është ndërprerë kontrata nga Ministria e Integrimit me arsyetimin se Qeveria ishte në dorëheqje.

Në raport përmendet edhe mundësia që kjo kompani të ankohet në Arbitrazh.

Ndërkaq, kontratë në vlerë më të madhe Ministria e Integrimit Evropian ka nënshkruar me kompaninë kosovare “PR Solutions”.

Vlera e kësaj kontrate është mbi 881 mijë euro, e që është nënshkruar për nevojat e Ministrisë së Integrimit për informim publik për procesin e liberalizimit të vizave.

Kjo kontratë përfundon më 10 korrik 2022.

Në një raport të brendshëm të Ministrisë së Integrimit për t’i shqyrtuar kontratat lobuese, është thënë se ato nuk kanë pasur rezultate të prekshme.

Për më tepër, kanë paraqitur edhe dëme në buxhetin e shtetit.

Kjo ministri nuk përjashton krijimin e një Task Force profesionale apo auditim profesional nga jashtë për të hetuar detajisht ecurinë dhe lidhjen e këtyre kontratave.

Gjithashtu, Ministria e Integrimit lë të hapur edhe njoftimin e Prokurorisë Speciale për të hetuar nëse kishte keqpërdorime në lidhjen e kontratave lobuese.

KTV-ja ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë Speciale, nëse ka nisje të hetimeve për dyshimet e ngritura nga Ministria e Integrimit Evropian lidhur me këto kontrata, por nuk ka marrë përgjigje.

Ish-ministrja Hoxha nuk u është përgjigjur gjatë ditës thirrjeve të KTV-së për koment.