Reja konfirmon qëndrimin te Shqipëria

“Në vitin 2022 do të jetë 78 vjeç por Edy Reja e konsideron moshën thjesht një ndjesi dhe nuk i kushton rëndësi të dhënave në gjendjen civile”.

Kështu shkruajnë mediet italiane, më konkretisht “La Lazio siamo noi” (i referohet Radiosei) për rinovimin e kontratës së Edoardo Rejas me Federatën Shqiptare të Futbollit për katër vitet e ardhshme.

Edhe pse ende nuk është bërë zyrtare nga palët, në Itali janë të sigurt që tekniku italian do të vijojë të jetë në krye të kuqezinjve.

“Është një sfidë shumë e bukur dhe një projekt shumë i fortë, me jep shumë entuziazëm. Do të kem mbikëqyrjen e të gjithë lëvizjes futbollistike dhe nëse jam trajneri më i vjetër në drejtimin e një përfaqësueseje, kjo më bën të ndihem mirë,” – deklaroi Reja, duke e bërë në njëfarë mënyrë fakt të kryer marrëveshjen e re me Dukën.

I pyetur për objektivat, trajneri 74-vjeçar nuk e përmend Botërorin “Katar 2022”, pasi e ka të qartë se Shqipëria do ta ketë shumë të vështirë të fitojë një nga 13 vendet që janë në dispozicion, por beson shumë në kualifikimin në “Euro 2024”:

“Shqipëria është një vend plot gjallëri, i banuar nga njerëz që kanë konsideratë të lartë për ne, italianët. Ndoshta besojnë më shumë te ne sesa ne për veten tonë.”