Portieri i Milanit

Reina mendon se Milani nuk ka nevojë të frikësohet nga Juventusi

Pepe Reina beson se Milani nuk ka asnjë arsye për t’u frikësuar në super sfidën e kësaj të diele ndaj Juventusit.

Skuadra e Gattusos do të jetë përballë një testi të vështirë kur liderët e Serie A do ta vizitojnë “San Siron”, teksa vlen të përmendet se “Rosonerët” janë në një seri prej 4 ndeshjeve pa humbje mes kampionatit dhe Europa Leagues.

Reina, i cili ishte startues mbrëmë në ballafaqimin me Real Betisin në Europa Leauge, e di forcën e Juventusit por insistoi se nuk ka nevojë për frikë.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ata janë skuadër e fortë, por me gjithë përulësinë dhe respektin ne do t’i presim ata pa frikë, ka shumë besim te ne. Luajmë në “San Siron” e mbushur dhe na duhet ta japim më të mirën për të dalur me 3 pikë nga kjo ndeshje”, theksoi Reina.

Juventusi ka 6 pikë më shumë se ndjekësit më të afërt Interit dhe Napolit, pavarësisht këtij fakti Reina mendon se Milani është përmirësuar nga sezoni i kaluar dhe duhet të vazhdojë në këtë rrugë.

Derbi Milan-Juventus zhvillohet të dielën me fillim prej orës 20:30.