Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim me të cilin ka refuzuar kërkesat e mbrojtësve për hudhjen e aktakuzës ndaj ish-policit Haris Kelmendi dhe policit Agon Hyseni, të akuzuar se në qershor të 2018-ës kishin keqtrajtuar të dëmtuarin derisa e kishin ndaluar në stacionin policor.
Ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”. Kurse, Kelmendi po akuzohet edhe për veprën penale “pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, marrë më 27 shtator të këtij viti, thuhet se gjykata pas shqyrtimit dhe analizimit të kundërshtimeve të paraqitura nga ana e mbrojtësve, lidhur me kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, ka vlerësuar se kërkesat e mbrojtësve të të pandehurve janë të pabazuara.
Sipas këtij vendimi, rezulton se nga provat që i janë bashkëngjitur aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar se të akuzuarit Kelmendi dhe Hyesni janë kryes të veprave penale që u vihen në barrë.
Tutje, në vendim thuhet se me qëllim të vërtetimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, rrjedhimisht zbardhjen e së vërtetës materiale, gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësorë do të administrojë të gjitha provat e propozuara.
Ndryshe, më 25 maj 2021 ishte mbajtur seanca fillestare ku të akuzuarit Kelmendi dhe Hyseni janë deklaruar të pafajshëm për veprat që u vihen në barrë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 prill 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Haris Kelmendi po akuzohet së më 26 qershor 2018 në Stacionin Policor Qendra, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar (zyrtar policor) derisa ishte duke e trajtuar të dëmtuarin L.R lidhur me një rast si i dyshuar, gjatë procedimit të rastit i akuzuari me dashje e ka keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij.







