800 aplikantë

Refuzohen 103 persona që pretendojnë se janë viktima të dhunës seksuale, rrëfehet një nga to

Rreth 800 persona kanë aplikuar për statusin e viktimës së dhunës seksuale. Deri më tani 143 prej tyre kanë filluar edhe marrjen e pensioneve. Ndërsa, 103 prej tyre janë refuzuar nga komisioni qeveritar, ku siç thonë ata, nuk ka pasur prova të mjaftueshme dhe bindëse për rastin. Për Kosova Press, rrëfehet njëra nga të mbijetuarit e dhunës seksuale, e cila pretendon që është viktimë, mirëpo është refuzuar nga komisioni qeveritar.

Përjetimet e asaj nate, nuk po mund t’i shlyej nga kujtesa, edhe tash pas 18 vjetëve.Për të është ende e freskët, nata e 26 majit të vitit 1999. Qirrjet e fëmijëve, torturat e policëve serbë, zërat e burrave që nuk gjenin forcë edhe më tej të përballonin goditjet që shkaktoheshin në trupat e tyre, janë vetëm disa sekuenca që i përsëriten asaj herë pas here në mendje.Ishte pikërisht nata e 26 majit, kur ajo kishte fatin e zi të merret nga forcat serbe me dhunë, në mesin e shumë personave të cilit gjendeshin në kolonë, si shkak i dëbimit nga shtëpitë e tyre.Pas asaj kohe, ajo rrëfen që asnjëherë nuk ka qenë mirë me shëndet. Madje ishte detyruar që për shkak të dhunimit, t’i kryej dy intervenime kirurgjike.

Sikur të mos i mjaftonin këto, ajo në atë kohë, bashkëshortin e kishte në Gjermani.Pas tri viteve, kur ai u kthye , siç rrëfen ajo, e la të vetme, me pretekstin që kishte ç’nderuar familjen.Përveç gjendjes shëndetësore edhe atë ekonomike e ka shumë të vështirë.

Me të kuptuar që kishte filluar procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, ani pse e kishte të vështirë, kishte aplikuar në komisionin qeveritar.Mirëpo, ajo është refuzuar nga ky i fundit, me faktin se nuk kishte prova të mjaftueshme. Por, kjo nuk është e vetmja aplikuese e cila është refuzuar.Kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, Minire Begaj ka treguar për Kosova Press, se deri më 28 shtator kanë aplikuar rreth 800 persona. Por, jo të gjithë kanë pasur fatin të pranohen.Mirëpo, aplikuesit të cilët refuzohen kanë mundësinë që prapë të bëjnë kërkesë në komision, për rishqyrtim. Në lidhje me rastin e gruas e cila vjen nga një fshat i Podujevës, Anton Nrecaj nga Qendra për ndihmë juridike dhe zhvillim regjional “Clard”, thotë se ka filluar procedurat e para për në gjykatë.

Jo të gjitha viktimat kanë fatin të aplikojnë për njohjen e statusit. Disa prej tyre sot e asaj dite ende vazhdojnë të ndihen tëstigmatizuara, e disa prej tyre nuk kanë pasur fatin as ta presin këtë ditë, kanë ndërruar jetë.

Drejtoresha e qendrës kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës, Feride Rushit thotë se procesi i gjatë për këto viktima po shkakton ankth të dyfishtë.Në mars të vitit 2014, ish presidentja Atifete Jahjaga kishte themeluar Këshillin Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ajo madje njihet si përfaqësuesja e vetme e vendit e cila kërkoi me ngulm që t’u njihet statusi këtyre viktimave. Ani pse procesi ka filluar, ajo e quan si të vonuar. Procesi i verifikimit të viktimave të dhunës seksuale ka filluar me 5 shkurt të këtij viti.

Megjithatë, ani pse dihet se janë afro 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ende askush nuk është i dënuar për këto vepra.Lutja e vetme e zonjës që rrëfen në këtë shkrim, është që një ditë, asaj t’i njihet ky status, që sado pak t’i zbutet dhimbja që ka përjetuar me vite./KP