New York

Refuzimi i gazpërçuesit amerikan, kryeministri grek anulon takimin me presidenten Osmani në New York

Çështja për vonesën dhe refuzimin e projektit për gazsjellësin, në Kosovë ka nisur të marrë jehonë edhe më të madhe në arenën ndërkombëtare dhe kështu skandali i Qeverisë lidhur me këtë çështje vetëm sa po thellohet.

Metro sot ka raportuar ekskluzivisht se Qeveria e Kosovës ka refuzuar të përmbush të gjitha kushtet nga Qeveria amerikane që do kompletonin përgatitjet për nisjen e prokurimeve për gazpërçuesin që vitin e ardhshëm.

Lidhur me këto çështje, burime të Metros brenda MPJ’së, bëjnë me dije se kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka anuluar takimin me presidenten Vjosa Osmani në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së në New York.

Ky anulim i takimit nga kryeministri grek, ka ardhur pas të gjitha zhvillimeve në lidhje me çështjen e gazit.

Njoftimin për anulim të takimit në mes Mitsotakis-Osmani, pala greke e ka bërë me 17 shtator, sipas burimeve të Metros brenda MPJ’së.

Ditë më parë presidentja Osmani është pyetur se pse Kosova po refuzon çështjen e gazit. Ajo në intervistë për DW, duke mos ditur si të e arsyetojë vonesën e Qeverisë dhe refuzimin për këtë temë, ka thënë se s’ka refuzim dhe se thjeshtë çështja është duke u shqyrtuar nga institucionet relevante, megjithatë ajo ka thënë se a i përket aspektit gjeostrategjik, Kosova s’ka rrugëdalje tjetër përpos të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.