Partia Demokratike ka prezantuar dje platformën me pesë pika për reformën zgjedhore. Reforma të realizohet nga institucione që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira. Në proces të përfshihen edhe ndërkombëtarët
Aleatët e opozitës u mblodhën dje në selinë blu për të diskutuar mbi hapat e mëtejshëm që duhet të marrin për aksionin e tyre politik. Mëngjesin e ditës së mërkurë në selinë e PD krerët e LSI, Monika Kryemadhi, PR-së, Fatmir Mediu, Nard Ndoka i PDK-së dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së, Agron Duka i PPA dhe Dashamir Shehi i LZHK-së patën një diskutim për rreth një orë për aksionin e mëtejshëm politik, me praninë e amerikanit David Phillips i cili ka qenë në rolin e këshilltarit për reformën zgjedhore. Pas këtij takimit, krye demokrati ka dhënë një prononcim të shkurtër për median duke dhënë qëndrimin e tij mbi krizën politike. “Nuk është çështje për Bashën dhe për Ramën. Shqipëria është në krizë. Ne kemi një plan për ta nxjerrë vendin nga kriza. Kemi plan për reformën zgjedhor. Ia kemi dorëzuar.. ta marrë ta zbatojë nëse nuk e zbaton dot të hapë krahun e zbatojmë ne”, deklaroi shkurtimisht krye demokrati ndërsa u largua me shpejtësi nga selia blu. Ky qëndrim ishte një përgjigje ndaj asaj që kryeministri Edi Rama kishte deklaruar një ditë më parë në një intervistë televizive se ishte i gatshëm që të shkonte në selinë e PD-së, për t’u takuar me Bashën për reformën zgjedhore. “Kush dëshiron që të më ketë edhe mua në tavolinë jam gati, kudo, edhe në selinë e PD-së nëse zhvillohet takimi unë shkoj, nuk e kam problem. Nuk është çështje vendi, formati, apo imponimi të agjendës, nëse ata janë rehat me orën që vazhdon të bjerë 12, është puna e tyre, ora ime vrapon” është shprehur Rama . Kryedemokrati Lulzim Basha i referohet pikërisht asaj platforme që opozita e bashkuar e paraqiti në tryezën e reformës zgjedhore të zhvilluar një javë më parë nën patronazhin e OSBE-së. Kjo plaftormë u paraqit nga përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso në këtë tryezë dhe se përmban kryerjen e reformës nën patronazhin e ndërkombëtarëve. “Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtar (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime”, ishte një nga kërkesat e paraqitura në tryezën e OSBE-së ku u diskutua për ndryshimin e sistemit. Ndërsa mazhoranca ka rrëzuar idenë e shmangies së institucioneve, duke kërkuar që ajo të realizohet nga komisioni i reformës zgjedhore dhe nga Parlamenti. Kryeministri Rama në të kundërt ka paralajmëruar që të miratojë reformën zgjedhore, pa “bekimin” e PD-së dhe aleatëve saj, duke shpresuar që të marrë votat e deputetëve që njihen si opozita e re në Parlament.
Kushtet
Opozita e Bashkuar i përgjigjet pozitivisht ftesës së partnerëve ndërkombëtarë për reformimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet në Shqipëri.
1.1. Si një nga kushtet për integrimin e Shqipërisë, Opozita e Bashkuar angazhohet të mbështesë realizimin e reformës zgjedhore.
1.2. Reforma e vërtetë Zgjedhore duhet të realizohet nga institucione apo subjekte zgjedhore që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që nuk janë objekt i hetimeve për vjedhjen e zgjedhjeve, si në dosjet nr. 184/2016 apo nr. 339/2017,
1.3. Diskutimet mbi Reformën Zgjedhore duhet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe publike, duke përfshirë në hartimin e saj edhe përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile.
1.4. Asnjë komision parlamentar , I drejtuar nga individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare.
1.5. Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtar (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime.
2.Reforma Zgjedhore është e nevojshme për përmirësimin e aspekteve teknike të organizimit të zgjedhjeve, por e pamjaftueshme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
2.1. Ligji elektoral dhe legjislacioni penal që mbron zgjedhjet demokratike më së pari janë të nevojshme të zbatohen. Asnjë Reformë nuk mund të jetë e suksesshme nëse nuk ekziston vullneti politik dhe institucional për të zbatuar ligjet në fuqi.
2.2. Opozita e Bashkuar mbështet qëndrimin e Misionit të OSBE-ODIHR se “Kuadri ligjor aktual mund të ofronte një bazë të shëndoshë për zgjedhje demokratike, nëse do të zbatohej në mënyrë të paanshme dhe me një vullnet të sinqertë politik”. Për pasojë, organet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë në mënyrë të plotë, të menjëhershme dhe transparente çdo akuzë për shkelje zgjedhore:
2.3. Duhet vullnet politik dhe një mekanizëm konkret të zbatueshëm për të realizuar ndarjen e plotë të politikës nga krimi.
2.4. Zbatimi i Rekomandimeve teknike të OSBE-ODIHR kërkon ndërhyrje në legjislacionin në fuqi, duke përfshirë Kodin Zgjedhor, ligjin e administratës publike, ligjin për Policinë e Shtetit, Ligjin për Mediat Audio-Vizive, etj.
3. Diskutimi për Reformën Zgjedhore duhet të kryhen sipas një rendi përparësish, me qëllim zgjidhjen e problematikave që kërkojnë vullnet politik për të garantuar zgjedhjet demokratike dhe qeverisjen përfaqësuese dhe kushtetuese, dhe më pas me zgjidhjen e çështjeve me karakter teknik.
4. Ofrimi i garancive shtetërore për barazi të subjekteve zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve demokratike që garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës kushtetuese për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Qeveria aktuale nuk ofron asnjë garanci për ndarjen e shtetit nga partia apo politikës nga krimi, duke pasur nën kontroll KQZ, policinë, shërbimin informativ, prokurorinë dhe gjykatat.
Ofrimi i garancive për vendimmarrje të drejtpërdrejtë nga qytetarët, përmes bërjes efektive të Referendumeve.
Aleatët
Kreu i PAA-së Agron Duka, në një prononcim për gazetën “Shekulli” tregon detaje rreth mbledhjes me Bashën. “Në fokus të diskutimit është reforma zgjedhore, ku është i pranishëm amerikani Phillips, për të ndërmjetësuar këtë dialog për këshillues. Po diskutojmë për situatën politike dhe reformën zgjedhore. Është edhe një analist amerikan David Philips, i cili në këtë rast po shërben si këshilltar. Për pikat nuk jam i autorizuar t’ju them pa u dakordesuar”, thotë Duka. Ndërkoh, kreu i PDK-së Nard Ndoka në një prononcim për “Shekulli”-n jep po ashtu të tjera detaje rreth bisedës së që aleatët së bashku me PD-në kanë biseduar në takim me amerikanin David Phillips, i cili ka qenë në rolin e këshilluesit për reformën zgjedhore. “Amerikani David Phillips erdhi për të marrë informacion për situatën politike, fakt mbledhëse. Mund të shkruajnë diçka, por edhe mund të informojnë edhe strukturat e tjera. Më shumë mori informacione për krizën, për platformën dhe qëndrimin e opozitës. Na pyeti: A jeni të dakordësuar si opozitë? Me rendësi ka kodi i shkruar, apo zbatimi i tij dhe vullneti politik?”, tha Ndoka. I pyetur nga gazeta “Shekulli” nëse aleatët kanë rënë dakord me PD-në për reformën zgjedhore, ku ata kanë insistuat për ta ndryshuar atë. Kreu i PDK-së Nard Ndoka në prononcimin e dhënë për këtë gazetë thotë se për kanë rënë dakord për të gjitha pikat e shtruara për reformën, ku ata dolën me 5 pika të përbashkëta që ia dërguan kryeministrit Rama, por mbetet e hapur për diskutim çështja e sistemit. “Sistemi mbetet i hapur, të tjerat janë në rregull”.







