BE

Reforma në drejtësi, Gjykata Europiane e Drejtësisë “ndalon” Poloninë

Gjykata më e lartë e Bashkimit Europian ka urdhëruar Poloninë të pezullojë menjëherë aplikimin e ligjeve të saj, që ulin moshën e daljes në pension të gjykatësve të Gjykatës Supreme.

Gjykata me seli në Luksemburg ka urdhëruar Poloninë që të kthejë menjëherë në punë gjykatësit e Gjykatës Supreme, që janë detyruar të tërhiqen, pasi ligji i ri hyri në fuqi në korrik.

Rreth një e treta e gjykatësve janë tërhequr, por kryegjyqtarja Malgorzata Gersdorf, që po ashtu preket nga ndryshimi, refuzon të largohet, duke thënë se Kushtetuta e vendit ia garanton asaj një mandat gjashtëvjeçar.

Gjykata Europiane e Drejtësisë miratoi kështu kërkesën e Komisionit Europian. Qeveria polake është akuzuar se po përpiqet të emërojë në këtë gjykatë, gjykatës besnikë të saj, por Varshava thotë se reformat, që e ulin moshën e daljes në pension nga 70 në 65 vjeç, e bëjnë gjykatën më efikase.

Reforma në drejtësi ka ndezur protesta masive nëpër rrugë në të gjithë Poloninë. Kundërshtarët thonë se partia në pushtet, “Ligj dhe drejtësi” do ta përdorë ligjin për të emëruar gjykatës të rinj, besnikë të saj.

Sidoqoftë, nuk dihet sesi do të reagojë qeveria polake pas këtij vendimi. Më herët, ajo ka injoruar një urdhër të gjykatës për ndalimin e shkatërrimit të pyllit të “Bialowieza”-s. Ajo u bind vetëm pasi Gjykata e Luksemburgut lëshoi një urdhër të dytë, që vendoste gjoba të përditshme, nëse prerja e pyllit do të vazhdonte.