Reforma në arsim si arsye për qërim hesapesh politike, ministrja Nagavci sfidon kreun e Kamenicës

Reforma në arsim në Komunën e Kamenicës është shndërruar në një betejë për qërim hesapesh politike. Një reformë e tillë e ideuar nga Qendron Kastrati i PSD-së para dy vitesh po del të jetë problem për ministren e re të Arsimit nga Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila ka marrë vendim për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar. Kjo përplasje mes dy palëve u nis pasi Nagavci erdhi në krye të ministrisë, duke e kundërshtuar fuqishëm këtë reformë, që sipas saj, i ka kushtuar shumë nxënësve, me humbje të mësimit. Derisa kryetari Kastrati thotë se po revanshohet nga ministrja Nagavci vetëm pse nuk është më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Reforma në arsim u krijua nga kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati dhe u fillua të implementohet që nga 2 shtatori i vitit 2019. Arsyeja e këtij riorganizimi ishte si rezultat i numrit të vogël të nxënësve që kishin mbetur në shkolla të ndryshme. Kastrati kishte marrë vendim që si Komunë t’ua siguronin transportin për t’i bartur e nxënësit në shkolla të caktuara.

Ndërsa, ministrja Nagavci këtë reformë e ka cilësuar si pasojë e humbjes së mësimit për nxënësit e Kamenicës, pasi sipas saj, për pothuajse dy vite 441 nxënës të kësaj komune nuk janë pjesë e sistemit edukativo arsimor.

“Të drejtën për mësim duhet ta gëzojnë të gjithë, pra edhe nxënësit e Kamenicës.Nga data 5 Maj, do t’a rifillojnë mësimin 441 nxënësit e pesë fshatrave të Kamenicës sipas Vendimit të Ministrisë së Arsimit për Organizimin e Mësimit Alternativ të Përshpejtuar…Pasojat e humbjes së mësimit për nxënësit fatkeqësisht janë evidente dhe të shumfishta. Angazhimi i të gjithë neve, secili vendim e veprim duhet të jetë në interesin më të mirë të fëmijëve”.

Pjesë e postimit të ministres Nagavci më 28 prill

Por ndryshe po e sheh kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati i cili në një prononcim për Gazetën Express thotë se e gjithë kjo po bëhet për arsyen se ai nuk është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Veç pse unë nuk jom pjesë e VV-së, e normalisht që më speciale e kanë kundër meje, se po shihet që sa ma shumë qe po afrohen zgjedhjet lokale, po bëjnë veprime ma shumë kundër funskionimit dhe rendit dhe kompentencës së kryetarit”.

Përgjigjja e kryetarit, Qëndron Kastrati

Por, Kastrati thotë se arsyeja e krijimit të kësaj reforme ishte rënie e madhe e numrit të nxënësve ndër vite.

“Në vitin 1960 kanë qenë rreth 1800 lindje brenda një viti, ndërsa në vitin 2019 janë 228. Në fund, i kemi pas 7 shkolla me më pak se 5 nxënës dhe shumica e shkollavë në vitin e parë i kanë pas më pak se 5 nxënës. Ne e kemi bërë riorganizimin duke mos lejuar më pak se 15 nxënës në një klasë”.

Përgjigjja e kryetarit, Qëndron Kastrati

Por, e gjithë kjo reformë, Kastrati thotë se po mundohet të pengohet në çdo mënyrë nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“U patëm marrë vesh me Ministrinë e Arsimit, në ndërkohë kanë ndrru ministrat dhe ministrja Nagavci në mënyra të ndryshme po mundohet me pengu dhe me sfidu duke ndërhyrë në kompetencat tona vetanake”.

Përgjigjja e kryetarit, Qëndron Kastrati

Megjithkëtë, mësimi i përshpejtuar alternativ për 441 nxënës të Kamenicës ka filluar më 5 maj, ku sipas njoftimit të MASHT-it, të gjithë nxënësit kanë marrë pjesë në mësimin alternativ të përshpejtuar.

“Sipas të dhënave të Inspektoratit të arsimit, në ndërrimin e paradites ky proces ka filluar në ShFMU “Asllan Thaqi” në Karaçevë të Poshtme, ShFMU “Xhelal Sopi” në Petroc dhe në dy paralelet fizike në Shipashnicë dhe Kopernicë, kurse në ndërrimin e pasdites mësimi i përshpejtuar ka filluar në ShFMU “Hasan Prishtina” në Busavatë”.

Pjesë e postimit të MAShT-it më 5 maj

Ndërsa, kryetari Kastrati thotë se disa shkolla të mëdha po rezistojnë ta pranojnë reformën për shkak që po nxiten nga Lëvizja Vetëvendosje në Kamenicë.

“Prindërit në një pjesë të shkollave, ¾ e kanë pranu reformën dhe janë duke e ndjek vijimin, në disa shkolla që janë më të mëdha ende janë duke rezistuar me i pru fëmijët. Krejt kjo po ndodh si pasojë që po nxiten nga VV-ja në Kamenicë dhe tash ministrisë së Arsimit”.

Përgjigjja e kryetarit, Qëndron Kastrati

Madje thotë se nxënësit po nxitën të mbajnë mësime ilegale në shkolla që nuk janë të pranume teknikisht, që nuk kanë as ujë të pijshëm.

“Kjo nuk është e lejushme, dhe është duke i thirrë e duke i nxitë me mbajt msim ilegal në shkolla të cilat nuk janë të pranume fare teknikisht, në ato shkolla që nuk kanë as uj të pijshëm, në ato shkolla që nuk e kanë marrë pëlqimin sanitar”.

Përgjigjja e kryetarit, Qëndron Kastrati

Eshte kontaktuar edhe ministren Arbërie Nagavci, por kjo e fundit s’ka kthyer ndonjë përgjigje.

E gjithë kjo përplasje mes komunës së Kamenicës dhe Minstrisë së Arsimit po ndodhë që nga koha kur në krye të ministrisë erdhi Arbërie Nagavci nga radhët e Lëvzijes Vetëvendosje, e që kryetari i kësaj komune thotë se e gjithë kjo po ndodh për shkak që ai nuk është pjesë e kësaj partie.