Populli, përveç në zgjedhje, shumë shpejtë do të mund ta ushtrojë drejtpërdrejtë sovranitetin e tij për çështje me interes të përgjithshëm edhe përmes referendumeve.
Ligji për Referendum, i cili tashmë e ka kaluar leximin e parë në Kuvendin e Kosovës, e rregullon shpalljen dhe zbatimin e referendumeve, si dhe përcakton procedurat për tri lloje të referendumeve: shfuqizuese, kushtetuese dhe konsultative.
Me këtë ligj, presidenti mund të inicioj vetëm referendum konsultativ, rezultatet e të cilit nuk janë detyruese për Kuvendin e Kosovës, raporton Ballkani.info.
Kjo nënkupton se referendumi që mund të niset nga presidenti për një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që përfshinë korrigjimin e kufirit, do të tregojë vetëm vullnetin qytetar, por për atë marrëveshje do të vendosin deputetët në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Këtë faktikisht e kanë thënë vazhdimisht edhe shumica e liderëve të koalicionit qeveritar, përfshirë këtu edhe vetë presidentin Thaçi.
Në nenin 12 të Ligjit për Referendum, qartësohet se Kuvendi ose Presidenti i Republikës së Kosovës, me miratimin e Kuvendit, mund të propozojë një referendum konsultativ për një çështje me rëndësi për qytetarët e Kosovës dhe në përputhje me këtë ligj, por rezultatet duhet të jenë jo-detyruese.
Bazuar në këtë ligj, edhe qytetarët e Kosovës mund të iniciojnë referendum të përgjithshëm përmes njëqind mijë nënshkrimeve të qytetarëve me të drejtë vote, me propozimin dhe miratimin e Kuvendit ose me propozim të Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës dhe miratimin e Kuvendit.
“Në një referendum, alternativa që ka fituar shumicën e votave të vlefshme, por jo më pak se një e treta (1/3) e numrit të zgjedhësve të regjistruar në Listën e Përfundimtare të Votuesve, konsiderohet fitues, përveç kur parashikohet ndryshe këtu”, thuhet në Ligjin për Referendum.
Por, ashtu siç edhe specifikohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, një referendumi nuk mund t’i nënshtrohet “Legjislacioni me Interes Vital”.
Neni 81 i Kushtetutës së Kosovës, për “Legjislacionin me Interes Vital” sqaron se për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve që ndërlidhen me këtë kategori, kërkohet vota e shumicës së deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë, si dhe të shumicës së deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë, të cilët mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë.
Në “Legjislacionin me Interes Vital” përfshihen ligjet që ndryshojnë kufijtë e komunave, themelojnë ose shuajnë komuna, përkufizojnë shtrirjen e pushteteve të komunave dhe pjesëmarrjen e tyre në marrëdhëniet ndërkomunale dhe tejkufitare. Po ashtu, përfshihen ligjet që zbatojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, me përjashtim të atyre të përcaktuara me Kushtetutë, si dhe ligjet për përdorimin e gjuhëve, për zgjedhjet lokale, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, për liritë fetare ose për marrëveshjet me komunitetet fetare. Pastaj, përfshihen edhe ligjet për arsimin, ligjet për përdorimin e simboleve, përfshirë edhe simbolet e komuniteteve dhe festat publike.
Asnjëri prej ligjeve me interes vital nuk mund t’i nënshtrohet referendumit, që në këtë rast nënkupton referendumeve shfuqizuese.
Gjithashtu, as çështjet që lidhen me interesat vitale, integritetin territorial të Republikës së Kosovës, kufizimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, të detyrimeve financiare të shtetit, faturave të natyralizimit, vendosjen ose heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, shpalljen e një deklarate lufte apo paqeje, vendimet lidhur me personat që mbajnë poste publike dhe amnisti, nuk mund të jenë subjekt i një referendumi.
Në nenin 5 të Ligjit për Referendum, thuhet se të gjitha referendumet do të shpallen vetëm nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në pajtim me Nenin 65 (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Referendumet administrohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përputhje me procedurat e parashikuara në këtë ligj. /Ballkani.info/













