Marrëveshja historike e Prespës i hap rrugën Maqedonisë së Veriut të bëhet anëtare e 30-të e Aleancës dhe ta përshpejtojë integrimin e saj evropian.
Vendi tani është në vendin e vërtetë në Evropë dhe NATO.
Këtë e deklaroi sot ish-ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Philip Reeker, i cili është ndihmës sekretar i ardhshëm amerikan i shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë në temën ”Zhvillimi ekonomik dhe raportet rajonale në Evropën Juglindore” në kuadër të projektit “Ballkani 360” në organizim të Fondit gjerman të Marshalit.
Reekeri, i cili për momentin e kryen funksionon e këshilltarit politik të komandantit të Komandës evropiane ushtarake të forcave të SHBA-ve është rikthyer në sfidat kyçe të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të mbështetjes amerikane në përpjekjet e këtyre shteteve që të bëhen pjesë e Evropës.
“Si oficer i mëparshëm për marrëdhënie me publikun dhe më vonë ambasador amerikan në Shkup jam i lumtur që jam këtu. Me rëndësi është veçmas vizita ime tani, pasi Maqedonia e Veriut ka marrë hapa përpara drejt vendit të saj të vërtetë në Evropë dhe NATO. Siç e dini po kthehem në Uashington për disa javë që të jem në krye të Byrosë për çështje evropiane dhe Euroazitaike si ndihmës sekretar shtetëror”, tha Reekeri.
Ai ka vlerësuar se 27 vitet mosbesim dhe mospajtime historike mes Shkupit dhe Athinës, kanë bllokuar rrugën e vendit përpara.
“Nga përvoja ime personale mund të them se kjo çështje ka qenë jashtëzakonisht komplekse dhe shumëkush e ka konsideruar të padurueshme. Të arrihet deri në këtë pikë nuk ka qenë lehtë. Liderët shumë herë deshën të tërhiqen nga procesi dhe të shkojnë përpara. Suksesi i Marrëveshjes së Prespës është dëshmi se me përkushtim dhe kompromis mund të arrihet zgjidhje dhe për këtë nevojitet liderizëm”, ka thënë Reekeri.
Ai ka shtuar se kryeministri grek Aleksis Cipras dhe kryeministri Zoran Zaev si dhe shefat e diplomacive të dy vendeve janë meritor për këtë arritje historike dhe beson se edhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor do të marrin shembull nga kjo përvojë.
“Kjo tregon se konfliktet e thella historike mund të tejkalohen. Të gjithë duhet të mendojmë se si mund të parashikohet e ardhmja e Ballkanit Perëndimor nëse liderët e rajonit ndërtojnë mbi momentumin e këtij suksesi historik dhe të arrihen pajtime dhe kompromise të këtilla”, ka thënë Reekeri.
Ai ka shtuar se Evropa sot është qendër e garave gjeopolitike dhe se Moska në vitet e kaluara ka tentuar dhunshëm të vizatojë kufijtë në Evropën Qendrore duke kryer presion mbi fqinjët, dukë zbatuar fushatë të dezinformatave dhe përzierjes kundër Perëndimit, duke shtuar se i ka forcuar kapacitetet ushtarake në kufijtë e saj.
“SHBA-të dhe Evropa patjetër duhet të punojnë bashkë që të sigurojnë Perëndimi të mbetet modeli më atraktiv për shoqëri moderne dhe të lira. Në vendet që kanë zgjedhur rrugën e Perëndimit ne do të vazhdojmë të japim mbështetje që të përshpejtojmë reformat demokratike me qëllim të mund të përfshijmë në kombet e bashkësisë perëndimore”, ka thënë Reekeri.
Reekeri ka përsëritur se SHBA-të e mbështesin anëtarësimin në BE të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe anëtarësimin në NATO të gjithë atyre që e dëshirojnë këtë.
“Shpresa jonë për të ardhmen e juaj është Ballkan stabil i cili është në linjë me vlerat tona të përbashkëta, tërësisht të integruar në institucionet perëndimore dhe rezistues ndaj destabilizimit dhe ndikimeve të dëmshme nga jashtë. Ballkani Perëndimor ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm përpara në vitet e kaluara me Marrëveshjen historike të Prespës, anëtarësimit të Kroacisë në BE, hapjen e bisedimeve qasës me Serbinë dhe me Malin e Zi, si dhe anëtarësimin në NATO të Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë bashkë me Maqedoninë e Veriut e cila është në rrugë drejt anëtarësimit të saj të plotfuqishëm”, ka thënë Reeker.
Ka shtuar se stabiliteti dhe prosperiteti arrihen me punë të mundimshme dhe përkushtim në reformat. “Ky rajon është i qëndisur me histori, kulturë dhe gjeopolitikë. Prandaj duhet të punojë bashkë si fqinjë dhe të gjenden zgjidhje”, ka nënvizuar Reeker.
Ai pasditen e sotme do të ketë takim me kryeministrin Zoran Zaev ku pastaj do të kenë deklaratë për media. Reeker pasdite u takua edhe me shefin e diplomacisë Nikolla Dimitrov, ndërsa është paraparë takim edhe me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, si dhe drekë pune me zëvendëskryeministrat Koço Angjushev dhe Bujar Osmani./MIA/







