Kryeministri Albin Kurti në javën e dytë të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar tre senatorët që një muaj më parë i takoi edhe në Prishtinë.
Tre senatorëve amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thomas Tillis, Kurti ua ktheu vizitën menjëherë pas një muaji.
Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media nga Qeveria e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Kurti u shpreh se është kënaqësi t’i takojë përsëri ata, kësaj radhe në Uashington D.C.
Në këtë takim u diskutua për veprimet e Qeverisë në luftimin e krimit dhe korrupsionit, si dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Kurti u ka thënë senatorëve amerikanë se luftimi i korrupsionit dhe reformat demokratike janë çelësi i suksesit ekonomik të një vendi dhe stimujt e zhvillimit ekonomik në Kosovë.
“Duke pasur parasysh potencialin e Kosovës dhe interesimin e Qeverisë për të mbështetur sektorin e Teknologjisë së Inovacionit, Senatori Tillis e ftoi kryeministrin Kurti që të konsiderojë për mundësi bashkëpunimi edhe shtetin e Karolinës së Veriut (North Caroline) që ka rritjen me të shpejtë në industrinë bioteknike. Senatorja Shaheen dhe senatori Tillis falënderuan edhe një herë Kosovën dhe institucionet e saj për rreshtimin me botën demokratike në dënimin e agresionit të paprovokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe kryeministrin Kurti për lidershipin e treguar me rastin e strehimit të afër 1500 qytetarëve afganë të evakuuar në Kosovë”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.
Por, krejt tjera gjëra ata biseduan në Prishtinë, shkruan Demokracia.com.
Në Uashington, të paktën sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, ata nuk kanë folur as për dialogun.
Murphy gjatë vizitës në Kosovë më 21 prill tha se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të arrijnë përparim në dialogun, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Ne po ashtu shprehëm rëndësinë e arritjes së përparimit në dialogun me Serbinë, përmes procesit të Brukselit. E dimë që bisedimet janë të vështira, por ne besojmë që ato janë të rëndësishme”, tha ai.
Senatorët amerikanë para vizitës në Kosovë kishin qëndruar në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.







