Reçica: PDK-ja në zgjedhje garon e vetme, më pas nuk ka vija të kuqe për asnjë parti

Edhe pse Partia Demokratike e Kosovës është pro shpërndarjes së kuvendit më 22 gusht, ende nuk ka finalizuar listën me nënshkrime nga të gjithë deputetët e Grupit Parlamentar të këtij subjekti për të shkuar vendi në zgjedhje.

Ndërsa, të gjitha subjektet e tjera kanë thënë t’i kenë dorëzuar listat me nënshkrime në kuvend. Publike në faqen zyrtare të Kuvendit, janë vetëm ato të LVV-së dhe PSD-së.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica në një intervistë për KosovaPress deklaron se PDK-ja do ta mbështet mocionin për shpërndarjen e kuvendit javën e ardhshme. Sipas Reçicës që është pjesë udhëheqëse e PDK-së, kjo parti është e gatshme të shkoj vendi në zgjedhje dhe deri tash ka grumbulluar 18 nënshkrime të deputetëve.

“Pa diskutim se PDK-ja dhe Grupi Parlamentar i PDK-së do ta mbështesë mocionin për shpërndarjen e kuvendit më 22 gusht dhe nuk ka pasur në asnjë moment dhe nuk ka dilemë. Ne kemi pasur qëndrimet tona, mirëpo që nga dorëheqja e kryeministrit Haradinaj, ne kemi dal më qëndrime shumë të qarta, edhe kryetari i partisë, edhe shefi i GP-së, por edhe gjithë nomenklatura e PDK-së. Pra, ne jemi të gatshëm për zgjedhje dhe PDK kërkon që të shkohet në zgjedhje, ende nuk është përmbyllë për shkak se një pjesë e deputetëve kanë qenë në pushime, por unë besoj që shumë shpejt do të përmbyllet lista e nënshkrimeve nga deputetët që do ta nënshkruajnë mocionin. Andaj, më 22 gusht deputetët do të jenë aty për ta votuar mocionin për shpërndarjen e parlamentit”, thotë Reçica.

Sa i përket koalicioneve parazgjedhore me ndonjë subjekt politik në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen, Reçica deklaron se PDK-ja do të marrë pjesë në zgjedhje e vetme, por pasi të mbahen ato, ky subjekt nuk do të ketë vija të kuqe me asnjë parti politike për formimin e qeverisë së re. Ndërsa, se a është e gatshme PDK-ja të mbetet në opozitë, Reçica pohon se për këtë vendosin votuesit.

“PDK-ja kësaj radhe hynë në garë për të fituar dhe për ta pasur kryeministrin, dhe ai është Kadri Veseli. Duhet pasur parasysh që edhe pas zgjedhjeve që pritet të mbahen tash, ne si parti politike qoftë të pozitës ose të opozitës duhet të bashkëpunojmë. Mirëpo, PDK-ja është ajo që i ka pranuar dhe gjithmonë do t’i pranoj rezultatet zgjedhore. Në këtë aspekt sovrani vendos. Absolutisht të gjitha janë të mundura dhe nuk kemi asnjë vijë të kuqe në këtë aspekt. Nuk mund ta prejudikoj, të gjitha partitë nga aspekti konceptual dhe nga aspekti praktik e pranojnë programin qeverisës të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të kryeministrit Veseli, mund të jenë pjesë e koalicionit”, deklaron ai.

Për takimin e sotëm ndërmjet liderit të LDK-së Isa Mustafa dhe atij të VV-së Albin Kurti, deputeti Reçica deklaron se takimi i tyre është i pakuptimtë nëse kujtohet historia dhe raportet e tyre me një armiqësi të thellë.

“Këto takime për mendimin tim janë shumë të çuditshme dhe janë në një farë mënyre jo normale. Ne e dimë se kjo histori është shumë e afërt dhe dimë raportet mes subjekteve të tyre dhe atyre individuale. Mirëpo, për ne si PDK dhe për vendin është shumë mirë kur liderët politik dhe partiak edhe ata që kanë që në armiqësi të thellë kur kanë provuar me të gjitha mjetet dhe forcat ta eliminojnë njëri tjetrin jo vetëm politikisht, të ulën të bisedojnë. Për ne kjo është një mundësi që të shohim shtendosje në jetën politike dhe po shpresoj që nuk I kanë vetëm sa për të dërguar mesazhe jo të duhura dhe jo adekuate në adresë të partive tjera politike”, thotë Reçica.

loading…