Reagon zv.kryeministri Selmanaj pas plagosjes së policit në Veternik

Zëvendëskryeministri Driton  Selamanj ka reaguar pas plagosjes me armë zjarri të një zyrtari policor në lagjen Veternik në Prishtinë.

Sipas tij sulmi me armë zjarri dhe cenimi i integritetit fizik të policit në detyrë, gjatë parandalimit të krimit, është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

“Sulmi me armë zjarri dhe cenimi i integritetit fizik të policit në detyrë,gjatë parandalimit të krimit, është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Zyrtarit policor i dëshiroj shërim të shpejtë dhe si anëtar i Kabinetit të Qeverisë së Republikës së Kosovës zotohem për mbështetje të pa rezervë Policisë së Kosovës në zbatimin e rendit dhe ligjit”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Në ndërkohë në orët e para të mëngjesit hajnat kanë tentuar që të vjedhin para në një bankomat në këtë lagje.

Lajmin e kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës.

Policia bëri me dije se rasti ka ndodhur rreth orës 5 e 30 minuta.

Sipas njoftimit, policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku edhe ka pasur të shtëna me armë zjarri.

“Rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë.

Me të marrë informatën, policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit, për t’iu shmangur kapjes nga policia, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë dhe për pasojë  kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.