Reagon Veliu pas raportimit për dhunën që policja ushtroi ndaj një të miture

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka reaguar pas raportimeve për dhunën që një pjesëtare e Policisë së Kosovës ka ushtruar ndaj një vajzë të mitur.

Veliu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se menjëherë ka kërkuar nga Inspektorati Policor që të filloj hetimet në lidhje me rastin e fundit, ndërsa shtoi se rastet e tilla po ndodhin por prandaj ekzistojmë mekanizmat që i monitorojnë edhe punën policore.

“Policia e Kosovës është një institucion profesional kredibil dhe gëzon besueshmërinë e lartë të qytetarëve të Kosovës. Rastet e incidenteve mes zyrtarëve policor dhe qytetarëve fatkeqësisht po ndodhin, prandaj ekzistojnë edhe mekanizmat mbikëqyrës që monitorojnë dhe kontrollojnë punën policore”, shkruan Veliu.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Policia e Kosovës është një institucion profesional kredibil dhe gëzon besueshmërinë e lartë të qytetarëve të Kosovës.

Rastet e incidenteve mes zyrtarëve policor dhe qytetarëve fatkeqësisht po ndodhin, prandaj ekzistojnë edhe mekanizmat mbikëqyrës që monitorojnë dhe kontrollojnë punën policore.

Si Ministër i Punëve të Brendshme kërkova menjëherë nga Inspektorati Policor që të filloj hetimet në lidhje me rastin e fundit ashtu siç ka hetuar edhe rastet e tjera dhe dua të siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës se Ministria e Punëve të Brendshme dhe unë si Ministër do të sigurohemi që Policia e Kosovës të reflektojë profesionalizëm, transparencë dhe respektim të drejtave të njeriut pa dallim.

Trajtimi situatave të ndryshme duhet të bëhet duke ruajtur vlerat demokratike dhe mbrojtjen e drejtave të njeriut,ky është dhe do të jetë imperativ i Ministrisë së Punëve të Brendshme.