Reagon Skender Hyseni, sqaron të gjitha rreth lakimit të emrit të tij për kryeministër

Anëtari i kryesisë së LDK’së, Skender Hyseni ka reaguar pas lajmeve se ai është i propozuari i Lidhjes Demokratike për kryeministër.

Hyseni ka shkruar në Facebook se kjo cështje nuk është shtruar asnjëherë në organet e partisë, e se janë vetëm spekulime.

“Duke respektuar pafundësisht lirinë e medias, parim ky të cilin unë e kam të shenjtë, jam i detyruar që të shpreh indinjatën time me spekulimet e sotme qe kanë lakuar emrin tim si kandidat i LDK-së për Kryeministër. Interesimit të shumë gazetarëve sot po u përgjigjem përnjëhere! Kjo çështje nuk është shtruar asnjëhere në organet e partisë. Nuk jam unë kandidat! Pra, janë spekulime dhe asgjë më shumë, e të cialt vijnë nga qarqe të caktuara që për synim të vetëm kanë krijimin e hutisë dhe konfuzionit”, ka deklaruar Hyseni.

“Pra, ashtu siq ka konstatuar Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, pas votimit të KP-së: ” Në bazë të kësaj, si Kryetar i LDK-së konstatoj se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese, për formimin e Qeverisë në një koalicion të mundshëm me AAK, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.”

LDK do të vendos për kandidatin, vetëm pasi të ketë marrë mandatin për të krijuar qeverinë duke respektuar procedurat kushtetuese. Deri atëhere, të gjitha pra, janë spekulime”, ka shtuar ai.