Reagon sërish SHKK: Ekrem Rexhepi nuk u rrah e as sulmua në Qendrën e Paraburgimit

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) edhe një herë e ka mohuar se është sulmuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë i dyshuari për dhunimin e 11-vjeçares, Ekrem Rexhepi.

Gjatë ditës së sotme avokati i Ekrem Rexhepit, njërit prej të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares, Fitim Limani, deklaroi për Demokracia.com se klienti i tij është sulmuar nga disa të burgosur tjerë dhe për këtë arsye është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), i cili i mohoi këto deklarata.

Edhe para pak çastesh, përmes një njoftimi për medie ka reaguar përsëri SHKK, duke mohuar se është rrahur apo sulmuar Ekrem Rexhepi, njëri prej të dyshuarve për dhunimin e 11-vjeçares, raporton Demokracia.com.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dyshuari për dhunimin e 11-vjecares E.R asnjëherë nuk është sulmuar/rrahur në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë, i njëjti është dërguar në Burgun e Sigurisë se Lartë për çështje të sigurisë së tij dhe për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm, për shkak të veprës për të cilën dyshohet”, thuhet në reagimin e SHKK-së.

Në anën tjetër, Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se Ekrem Rexhepi është transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë pas kërkesës së SHKK-së pasi që disa të burgosur kanë tentuar ta sulmojnë të dyshuarin për dhunimin e 11-vjeçares. /Demokracia.com/