Reagon sërish Molliqaj: Nuk shkojmë te Kadri Veseli, VV-ja kërkonte koalicion me PDK-në në 2016-tën

Dardan Molliqaj konfirmon se nuk hyjnë në Qeveri, thotë se Vetëvendosje deshi të bëhej bashkë me PDK-në më 2016

Dardan Molliqaj ka thënë se ata që po thonë se PSD do të hyjë në Qeveri janë të njëjtit që më 2016 kishin synuar pushtetin me Partinë e Kadri Veselit. Ish Sekretari i VV kishte cituar Kurtin kur kishte thënë se PDK është konstantja dhe partitë tjetra variabla duke konfirmuar se ish-partia e Thaçit edhe për një kohë do të mbetej në pushtet.

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar duke thënë se partia e tij është e palëkundur në qëndrimin e vet për ta larguar PDK-në nga pushteti.

“Jemi të palëkundur në qëndrimin tonë për ta larguar PDK-në nga pushteti. Posa kjo të arrihet, ata do të hetohen e përgjigjen para drejtësisë për të gjitha krimet e aferat korruptive që i kanë kryer në vendin tonë”, ka thënë ai.

Molliqaj ka akuzuar edhe LDK-në dhe Vetëvendosjen që sipas tij për arsye elektorale po rrinë si spektator në procesin e dialogut.

“Lajmet e sponsorizuara që kinse ne do të bëhemi pjesë e kësaj qeverie janë shpifjet e radhës nga ata që e ëndërrojnë ardhjen në pushtet pikërisht duke bashkëpunuar me PDK-në. Ata që me gjithë pushtetin dhe mundësitë që kanë për të parandaluar dëme që i ndodhin Kosovës vendosin të jenë spektatorë për arsye elektorale, e në të njëjtën kohë po mundohen që pjesëmarrjen tonë në dialog ta paraqesin si hyrje në qeveri, janë po të njëjtit që hapur shprehën gatishmëri për të ardhur në pushtet përmes koalicionit me PDK-në qysh në vitin 2016”.

Deputeti i PSD’së ka treguar se hudhja hi syve të qytetarëve ka përfunduar. “Ne do të vazhdojmë me qasjen tonë konstruktive. E propagandat populiste ua lëmë atyre. Por, të mos harrojnë që hudhja hi syve të qytetarëve ka përfunduar. Prandaj kot lodhen?”, ka shkruar në fund ai.