Reagon publikisht ministrja Haxhiu për ‘incidentin’ me veturë zyrtare

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas publikimit të lajmit se ajo dërgon fëmijët në çerdhe me veturë zyrtare, e ka pranuar se ka bërë një veprim të tillë pasi që ka qenë e detyruar.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Haxhiu ka thënë se ka vepruar kështu, pasi që kishte ende punë në Ministri.

Kujtojmë që lajmin paraprakisht e ka konfirmuar edhe për Ballkani.info.

“Disa portale paskan publikuar fotografinë time, duke marrë fëmiun nga çerdhja. Për gjithë ata që shkruajnë, duhet bërë e qartë se përveç se jam Ministre, jam edhe nënë. Në kohën kur ende kisha punë në Ministri dhe s’mund ta lija djalin në çerdhe, meqenëse as bashkëshorti s’ishte këtu, isha e detyruar ta merrja dhe sërish të kthehesha në punë, bashkë me të”, ka thënë ministrja.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje, gjatë kohës sa ishte në opozitë vazhdimisht kritikonte pushtetarët e atëhershëm se po keqpërdorin veturat dhe benefite të tjera nga qeverisja./Ballkani.info/