Reagon për herë të parë Alec Baldwin, thotë se është i tronditur dhe zemërthyer pasi vrau aksidentalisht drejtoreshës e fotografisë

Alec Baldwin është shprehur i shokuar pas gjuajtjes fatale në setin e xhirimeve për filmin më të ri, si pasojë e së cilës ka mbetur e vdekur drejtorja e fotografisë, Halyna Hutchins, derisa ka mbetur i plagosur edhe regjisori i filmit, Joel Souza, 48 vjeç.

Përmes një statusi në Twitter, aktori hollivudian ka shkruar se është në kontakt me bashkëshortin e Hutchins, të cilit i ka ofruar mbështetje.

“Zemra ime është e thyer për bashkëshortin e saj, djalin dhe të gjithë që e kanë njohur dhe dashur Halynan”, ka shkruar ai.

Hutchins, 42-vjeçare ka mbetur e vdekur gjatë xhirimeve në orët e vona të së enjtes, në New Mexico.

“Nuk kam fjalë për ta përshkruar gjendjen e shokut dhe dhimbjen për shkak të aksidentit tragjik që i mori jetën Halyna Hutchinsit, një bashkëshorteje, një nëne dhe një kolege shumë e admiruar për ne”, ka vazhduar Baldwin në postimin e tij.

Ai ka bërë të ditur se është duke bashkëpunuar me hetuesit policorë për të kuptuar se si ka ndodhur tragjedia.

Hutchins ishte dërguar me helikopter në spital pasi ishte qëlluar, mirëpo nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.