Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar pas kallëzimit penal të bërë nga Vetëvendosje lidhur me pretendimet për disa biseda në Snapchat, për të cilat kjo parti pretendon se përfshijnë zyrtarë të Komunës së Prishtinës në veprime korruptive.

Rama, përmes një postimi në Facebook, ka akuzuar për një “fushatë të orkestruar politike” ndaj tij, duke thënë se sulmet nuk janë ndalur vetëm te ai, por kanë përfshirë edhe bashkëpunëtorët dhe bashkëshorten e tij.

“Kjo nuk është më politikë. Është çnjerëzore”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se një betejë politike që kalon në shpifje, fyerje dhe denigrim të familjarëve nuk përbën më debat demokratik, por, sipas tij, është përpjekje për frikësim dhe presion.

Rama ka deklaruar se çdo pretendim për interes publik duhet t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë, por ka kundërshtuar përdorimin e këtyre pretendimeve për, siç është shprehur ai, linçim dhe sulm ndaj personave që nuk kanë lidhje me çështjen.

Ai ka paralajmëruar se rasti do të trajtohet në instancat e drejtësisë dhe se personat që, sipas tij, kanë marrë pjesë në nxitjen apo përhapjen e kësaj fushate do të mbajnë përgjegjësi.