Reagon MPJ: Serbia po mundohet të dëmtojë Kosovën me pretendimet për ‘çnjohje’

Në mediat serbe, gjatë ditës së sotme është raportuar se Republika e Palauit ka suspenduar të gjitha vendimet e mëparshme për njohje ndaj Republikës së Kosovës.

Fatmir Haxholli, këshilltar politik i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ditën e djeshme ka thënë se këto lajme janë pretendime të shtetit serb dhe po bëhen me qëllim për të dëmtuar shtetin e Kosovës.

Në një prononcim për Ballkani.info, Haxholli ka thënë se i qëndron prapa deklaratës së djeshme, ndërsa ka theksuar edhe njëherë se koncepti i ‘çnjohjes’ apo ‘suspendimit të njohjes’ nuk egziston në marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve.

“Unë vazhdoj t’i qëndroj prapa asaj që kam deklaruar dje, nuk ka ndryshuar asgjë. Këto pretendime po bëhen me qëllim të dëmtohet Republika e Kosovës, por nuk ka asgjë zyrtare. Nuk ekziston në praktikë termi i ‘suspendimit të njohjes’ në marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve”, ka thënë Haxholli për Ballkani.info.

Kujtojmë se lobimi i Serbisë ndaj shteteve të tjera për të tërhequr njohjet ndaj Republikës së Kosovës, ka muaj që ka filluar dhe ishte përcjellur me reagime të shumta edhe nga zyrtarët vendorë. /Ballkani.info