Sot punëtorët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë filluar grevën e cila do të zgjasë 24 orë.
Punëtorët po kërkojnë ngritjen e pagave për mjekët dhe teknikët, përmirësimin e kushteve si dhe implementimin e plotë të Kontratës Kolektive Sektoriale.
E për këtë ka reaguar ministria e Shëndetësisë, duke thënë se e kuptojnë arsyen e grevës së thirrur.
“Ministria e Shëndetësisë ka qenë e përkushtuar dhe ka punuar bashkë me FSSH-në dhe Odën e Mjekëve të Kosovës që në kuadër të Projektligjit për pagat në sektorin publik në Kosovë, të përfaqësojë dhe adresojë kërkesat për rritje të pagave në nivelin që profesionistët shëndetësor e meritojnë, duke e argumentuar pse duhet që punëtorët shëndetësor të trajtohen në mënyrë shumë më të dinjitetshme se deri tani” thuhet në komunikatën e ministrisë.
“MSh qëndron prapa këtyre kërkesave dhe argumenteve të prezantuara në Qeveri dhe në Projektligjin për pagat dhe beson që përgjigja për to do të jetë pozitive nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit, me qëllim që sistemit shëndetësor t’i jepet shtytje në reformën e tij, ndërsa profesionistit shëndetësor vendi i merituar brenda këtij sistemi dhe shoqërisë në përgjithësi”, thuhet mes tjerash në komunikatë. /Ballkani.info/







